Transmetuar më 16-02-2017, 23:00

Në qytetin e Mitrovicës kanë filluar gërmimet në kërkim të varrezës masive.

Aktualisht, gërmimet janë në fazën fillestare, kështu që deri tani, nuk ka ndonjë gjurmë konkrete për trupa të mundshëm në këtë vend.

Gërmimi vlerësues ka nisur në Mitrovicën e Veriut, në lokacionin e quajtur Xhamia e Ibrit, afër Urës së Ibrit.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj tha se në vendin e dyshuar ndodhen ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertë të EULEX-it, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale dhe përfaqësues të delegacionit të Beogradit në cilësinë e vëzhgueseve.

Ai tha po ashtu se dyshimet për këtë lokacion për varrezë masive, kanë ekzistuar prej përfundimit të luftës, por “për shkak të lokacionit, kjo çështje është zvarritur për shkaqe sigurie dhe politike”.

Një numër zonash në Kosovë dhe brenda territorit të Serbisë, sipas autoriteteve të vendit, dyshohet të jenë vendvarreza masive në të cilat, siç thuhet, “janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë periudhës së luftës”.