Transmetuar më 16-02-2017, 16:12

Nga Edison Kurani

Kryeredaktor i Albanian Free Press

Një media e re është gjithmonë lajm i gëzueshëm për këdo. Për ata që bëjnë pjesë në botën e madhe të pushtetit të katërt dhe për mbarë qytetarët. Sepse është tregues i qartë i vlerës që ka liria e fjalës, si një e drejtë njerëzore, por edhe kushtetuese.

Albanian Free Press është nisma më e re në ndjekje të misionit fisnik të hapësirës për fjalën e lirë.

Por jo vetëm.

AFP ka marrë përsipër edhe një mision të dytë, goxha të rëndësishëm: Të mbajë gjallë traditën e fisme të shtypit të shkruar, në një botë ku teknologjia po ndryshon vrullshëm.

Duke besuar se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë.

Një qëndrim që e ndajnë me ne edhe opinionistët e njohur që nga sot janë pjesë e AFP print dhe AFP online.

AFP do ta gjeni çdo ditë, nga e hëna në të shtunë në të gjitha pikat e shitjes së gazetave, pa pagesë.

Kopjen tuaj AFP mund ta gjeni edhe aty ku ndodheni ju: Pranë lokalit të preferuar, te njësia tregtare apo e shërbimeve ku shkoni dita-ditës dhe në mbarë kryeqytetin duke nisur nga mëngjesi herët.

AFP mund ta siguroni edhe duke u abonuar pranë Postës Shqiptare, duke paguar vetëm koston tejet modeste të dërgimit në shtëpinë, zyrën apo biznesin tuaj.

E padyshim që teknologjia nuk është lënë pas dore, duke synuar që jo vetëm të ruajmë traditën me AFP print, por edhe duke ecur me hapin e kohës me AFP online. Në afp.al dhe albanianfreepress.al, pas mesditës do të gjeni të gjitha lajmet e gazetës së përditshme të renditura në kategorinë e dedikuar dhe në PDF.

Kurse gjatë gjithë kohës, mund të përditësoheni me të rejat më të fundit nga vendi dhe bota përmes AFP Minutë pas minute.

AFP vjen edhe me faqet e dedikuara në anglisht, me një përzgjedhje të kujdesshme të materialeve të edicionit të përditshëm të gazetës në shqip.

Ky rrugëtim që nisi, urojmë të jetë i gjatë dhe i dashur për të gjithë!