Transmetuar më 07-02-2017, 17:50

Tel Aviv, 7 shkurt 2017, NOA.al- Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ndodhet në Izrael për një vizitë zyrtare.

Në ditën e parë të vizitës, Ekonomi mori pjesë në hapjen e panairit ndërkombëtar të Turizmit “IMTM 2017” në Tel Aviv.

Gjatë vizitës, në të cilën ajo u shoqërua nga ambasadori ynë në Izrael, Bardhyl Canaj, ministrja Ekonomi u takua me homologë të turizmit nga vende të tjera, sikurse ministri i Turizmit i Turqisë Nabi Avci dhe ministrja Etiopiane e Turizmit, Mariam Teketel.

Ministrja pati rastin të takonte edhe shumë personalitete dhe sipërmarrës në fushën e Turizmit, ndër të cilët Onrly Spagnul, menaxher i IMTM, Amir Halevi Drejtor i Turizmit, Olga Manina Kofer nga International Travel Centre, etj., të cilët shprehen interes të madh për të njohur industrinë e turizmit në Shqipëri.

Një tjetër takim ishte ai me kreun e Club Hotel Group, Roni Pivko i cili shprehu interesin e kompanisë së tij për t’u njohur me mundësitë e investimeve në turizëm në vendin tonë.

Shqipëria merr pjesë në këtë panair mes 58 shteteve të tjera të botës. Vendi ynë përfaqësohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe disa operatorë turistikë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë si një mundësi të mirë për të zhvilluar kontaktet e tyre të biznesit.

Gjatë ditës së parë të Panairit, ministrja Ekonomi u shpreh entuziaste nga pjesëmarrja e lartë dhe interesi për stendën shqiptare, ku promovohen përmes broshurave, videove, dhe paketave turistike destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë. Ajo dha një intervistë për agjencinë kryesore te lajmeve në Israel, Ynetnews.com ku foli për potencialet turistike të Shqipërisë, të veçantat që ofron vendi ynë, duke u ndalur tek ato vlera se përse izraelitët duhet ta vizitojnë Shqipërinë.

Përmes kësaj interviste, ajo ftoi qytetarët e Izraelit të vijnë të vizitojnë Shqipërinë, pasi vërtet do të zbulojnë një destinacion të panjohur për ta.

Nga ana tjetër edhe operatorët turistike që marrin pjesë në këtë panair e konsiderojnë të rëndësishme pjesëmarrjen, pasi tregu izraelit është shumë i veçantë dhe për shijet e tij. Vitin e shkuar IMTM kishte 46 vende pjesëmarrëse, 1550 kompani apo stenda që prezantonin produktet apo destinacionet e tyre, ndërsa u vizitua nga 25 000 vizitorë, përfshi profesionistë të industrisë së turizmit dhe qytetarë të thjeshtë. Shqipëria këtë vit është prezantuar në një sërë panairesh ku më i rëndësishmi ishte ai i Shtutgartit në janar të këtij viti, i pasuar nga disa panaire të tjerë si në Madrid, Slloveni.