Transmetuar më 07-02-2017, 13:06

Ka mbërritur në portin e Durrësit flota e 61 ekskavatorëve që do të përdoret për ujitjen e tokave bujqësore. Kryeministri Edi Rama tha se synimi është që bashkitë e reja me këto mjete të krijojnë bërthamën e ndërmarrjeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes sistematike të kanaleve të ujitjes dhe kullimit.

“Flota do të mjaftojë për këtë fazë, ndërkohë që synimi ynë është që bashkitë e reja me këto mjete të krijojnë bërthamën e ndërmarrjeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes sistematike të kanaleve të ujitjes dhe kullimit, që të mos kemi më jo mijëra kilometra, po asnjë metër kanal të bllokuar nga dherat, plehrat, inertet, gjithë senidmentet”, tha Rama. 

Vetëm në 2016, tha kreu i qeverisë, falë punës së organizuar janë hequr nga kanalet që duhet të çonin ujin në tokat bujqësorë plot 3.5 milionë metër kub dhera. 

“Në një vit të kemi një kapacitet pastrues të menjëhershëm nga Tropoja në Konispol të heqjes së 7-10 milionë metra kub. Operacioni nuk ka mbaruar kemi ende shumë punë për të bërë në këtë fazë.  Jam i kënaqur që do shpëtojmë nga telefonatat, mesazhat, emailet, alarmet e kryetarëve të bashkisë që kërkonin ekskavatorët tani, pasi është periudha ku përgatisim sezonin e ardhshëm”, vijoi më tej Rama.

Kryetari i bashkisë se Durrësit, Vangjush Dako, në prani të Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, ka preferuar të provojë vetë cilësinë e ekskavatorëve./b.l/noa.al/