Transmetuar më 05-02-2017, 11:33

Rama i jep turqve aeroportin e Vlorës, synohet të thyhet monopoli i TIA

Kryeministri Edi Rama, njoftoi në rrjetet sociale për një takim me Presidentin e Turqisë, Erdogan mbi projekte të rëndësishme strategjike, në infrastrukturë dhe veçanërisht infrastrukturën aeroportuale.

Me Erdogan, kryeministri Rama thotë se diskuton mundësinë e finalizimit të projekteve të mëdha në infrastrukturë që pritet të nisin gjatë këtij viti, siç është ai për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Rama shkruan: “Drekë në Stamboll me Presidentin Erdogan për projektin e aeroportit të Vlorës, linjën ajrore shqiptare e investime të tjera strategjike”.

Presidenca turke nuk publikoi informacion mbi këtë takim që shihet si drekë private.

Ky takim vjen pak ditë pasi kryeministri Rama lançoi programin e qeverisë “1 miliard dollarë” dhe aeroporti i Vlorës, parashikohet të jetë një prej tyre, duke ndikuar drejtpërdrejtë si nxitës i zhvillimit të turizmit, punësimit dhe ekonomisë.

Gjithashtu Kryeministri Rama diskuton me Erdogan për mundësinë e thithjeve të investitorëve nga Turiqa për të aplikuar në programin më të madh të investimeve prej “1 miliard dollarë”.

Takimi me Erdogan erdhi pas një vizite dyditore të kryeministrit Edi Rama në Kosovë, ku u takua me zyrtarët e shtetit të dytë shqiptar.

Synohet të thyhet monopoli i TIA

Pasi TIA-s iu hoq ekskluziviteti, tani duket se po hapet rruga për ndërtimin dhe vënien në funksionim të aeroporteve të tjera në Shqipëri.

Një aeroport në Vlorë është padyshim lajm i mirë për zhvillimin e turizmit.

Ai mund të përdoret si aeroport për fluturime direkte ndërkombëtare si dhe fluturime transit përmes aeroportit të Rinasit në Tiranë.

Shumë turistë mund të vijnë nga qytete të ndryshme evropiane direkt në Vlorë ose me transit përmes Rinasit.

Nëse ky aeroport do t’i jepet turqve, është e mundshme që të kontrollohen fluturimet më së shumti nga kompani ajrore turke.

Sesa do të kenë interes kompanitë turke të fluturimeve si dhe kompani të tjera ndërkombëtare, kjo mbetet për t’u parë. /a.b/noa.al/