Transmetuar më 12-01-2017, 13:21

Tiranë, 12 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me lirimin me kusht të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Mirëukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush. Mbyllet episodi absurd por beteja për fshirjen e listës së urdhër-arresteve te vjetra vazhdon”, shkruan Rama në profilin e tij në Facebook. 

Ai shton më tej se është momenti po ashtu, për të vlerësuar përpjekjet politike dhe diplomatike të autoriteteve në Tiranë e në Prishtinë, si edhe për të falenderuar çdo qytetar kudo ku i dha zë përpjekjes së përbashkët kundër një padrejtësie spektakolare

“Dhe e përsëris, duhet të vijojmë të përpiqemi të gjithë bashkë, që të mos përsëritet më një i tillë absurditet! Respekt për institucionet e drejtësisë franceze, që bënë drejtësi; një shembull më shumë për të çmuar vlerën jetike të drejtësisë së drejtë!”, shton Rama.

Gjykata franceze liroi sot me kusht kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vendimi u dha ditën e sotme nga Gjykata e Colmar në Francë.  Ish- kryeministri i Kosovës do të duhet të paraqitet dy herë në javë pranë autoriteteve franceze dhe nuk mund të largohet nga shteti ku u ndalua.

Këtë të martë pala serbe u dërgoi autoriteteve franceze kërkesën për ekstradimin e ish-Kryeministrit të Kosovës drejt Beogradit.

Përmes saj u kërkua që Haradinaj, i cili u arrestua më 4 janar, të ekstradohej nga paraburgimi i Colmar në Francë, drejt Serbisë.

Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia të vitit 2004, i dyshuar për krime lufte./a.y/noa.al