Transmetuar më 11-01-2017, 16:24

Dje Komisioni Hetimor Parlamentar per hetimin e privatizimit te OSSH nga kompania CEZ u njoh me disa prova të rëndësishme lidhur me një person të quajtur Nuel (Nue) Kalaj i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë “sekseri” i martesës së qeverisë shqiptare të asaj kohe të drejtuar nga Sali Berisha me kompaninë CEZ.

Komisioni ka administruar nga një bankë e nivelit të dytë disa llogari bankare të Nue Kalaj i cili ka marrë nga CEZ transferta bankare disa milionë euro. Këto shuma më pas i ka tërhequr cash më 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.

Gjithashtu Komisioni ka kërkuar informacione shtesë nga banka, por edhe nga banka të tjera, pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj.

Per Nuel (Nue) Kalaj në dëshminë e dëshmitarit Romeo Karra në Komisionin Hetimor rezulton të ketë qenë edhe ndërmjetësi i kontakteve dhe bisedave ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ.

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen CEZ, Taulant Balla, publikon prova të reja sot, sipas tij, një ndër shumë provat e pakontestueshme, e cila dëshmon qartë rolin që ka luajtur Nuel Kalaj.

“Ai ka qenë i lidhur me të birin e Kryeministrit të asaj kohe Sali Berishës. Kjo kuptohet qartë në këtë e-mail ku drejtori çek në Shqipëri, Josef Hejsek i thotë n/drejtorit të CEZ-IT në Pragë Tomas Pleskac, se do ta priste bashkë me Nuelin në aeroport në sallonin VIP.

Hejseku thotë gjithashtu se sipas Nuelit, takimi me të birin do ta shtyjmë për nesër pas ardhjes së Kryeministrit. Pra kuptohet që Tomas Pleskac (n/drejtori i CEZ-it në Pragë) së bashku me Hejsekun dhe të tjerë janë takuar me Kryeministrin dhe pastaj me të birin e tij. Sot nuk po bej asnjë pyetje. Pyetjet do t’i bëhen në komisionin hetimor dhe më pas. Hetimi parlamentar vazhdon”, thotë Balla.