Transmetuar më 11-01-2017, 14:10

Opozita e Bashkuar e udhëhequr nga PD-ja, ka dalë në një qëndrim se zgjedhjet janë në rrezik si pasojë e krimit, shitblerjes së votës, si pasojë e varfërisë, si pasojë e kthimit të vendit në një parajsë të narkotrafikut.

Deklaratën e ka bërë kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili pas takimit me partitë opozitare në Parlament, ka bërë të ditur se “kohë nuk ka më dhe kjo është çështja më e rëndësishme e momentit”. Sipas Bashës, është përgatitur platforma për ta diskutuar me qëllim që zgjedhjet ti vendosin qytetarët e jo krimi e blerja e votës.

“Kemi rastin të rikonfirmojmë para qytetarëve qëndrimin tonë sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Qëndrimi i unifikuar i opozitës parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët por qytetarët, nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shitblerjes së votës, por vullneti i qytetarëve. Zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit dhe korrupsionit, shitblerjes së votës dhe mosgarantimit të votës së qytetarëve”, u shpreh Basha.

Sipas tij “për këtë opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit dhe prej asaj dite Rama e ka sabotuar. Ne sot kemi rënë dakord për një platformë që është një kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet do ti vendos vullneti i qytetarëve. Rikonfirmojmë në këtë platformë votimin elektronik. Kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme se kjo për shqiptarët nuk ka. Opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me avancimin e reformës zgjedhore”.

Ndërsa i pyetur lidhur me propozimin e LSI për lista të hapura, Basha u përgjigj se përshëndet votimin elektronik, që sipas tij eliminon mbledhjen e kartave të identitetit. Ndërsa sipas tij sa i përket sistemit zgjedhor PD nuk është pengesë për listat e hapura.

“Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë ia kalon qytetarit, lista të hapura, maxhoritar, apo ta bëjmë me ligj që partitë ti zgjedhin me votë nga anëtarësia. Ne nuk jemi pengesë për listat e hapura, por diskutimi për listat e hapura është dhe mbetet propagandistik për sa kohë që nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votimi elektronik është kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme”, tha Basha.