Transmetuar më 09-01-2017, 01:26

Në foto: Policët duke i arrestuar dy ushtarë të Turqisë të dyshuar se kishin marrë pjesë në puçin e dështuar më 15 korrik të vitit të kaluar

Turqia ka shkarkuar më se 6 mijë policë, shërbyes civilë dhe akademikë, sipas ligjit për gjendje të jashtëzakonshme, duke e vazhduar goditjen e ashpër pas grusht shtetit të dështuar në korrik të vitit të kaluar.

Me një dekret të ri të qeverisë së Turqisë, të publikuar mbrëmë vonë, është urdhëruar shkarkimi i 2,687 policëve, 1,699 zyrtarëve nga ministria e drejtësisë, 838 nga ministria e shëndetësisë, më se 630 akademikë dhe 135 zyrtarë nga drejtorati i çështjeve fetare.

Afro 120 mijë njerëz janë suspenduar ose shkarkuar prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti, më 15 korrik të vitit 2016.

Goditja e autoriteteve të Turqisë ka çuar në shqetësim ndërkombëtar, ndërsa grupe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se po e përdorë puçin si pretekst për t’i heshtur ata që mendojnë ndryshe.

Më 3 janar, ligjvënësit e Turqisë kanë votuar për vazhdimin edhe për tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ishte shpallur pas përpjekjes për puç.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme ishte shpallur për ta goditur rrjetin e ndërlidhur me klerikun mysliman me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili nga Ankaraja akuzohet për orkestrim të puçit të dështuar. Zoti Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdolloj përfshirjeje.