Transmetuar më 24-12-2016, 00:30

Në dhjetë ditët e fundit, kryeqytete si Jordania, Stambolli dhe Berlini u goditën nga sulme terroriste.

Autoritetet e këtyre vendeve kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë, ku më e fundit ka qenë Gjermania.

Sipas organizatave ndërkombëtare, terrorizmi pritet të ketë ndikim në industrinë e turizmit, por nuk do të jetë aq i fortë sa të ulë ritmin e rritjes.

Sipas World Travel Market London, terrorizmi është shqetësimi kryesor për një në tre turistë në Britaninë e Madhe. Edhe drejtuesit e kësaj industrie janë të shqetësuar në lidhje me ndikimin që ka terrorizmi në bizneset e tyre.

Nga të gjithë britanikët që zgjodhën që të udhëtojnë jashtë, rreth 38% deklaroi se terrorizmi është një kërcënim, ndërsa 9% thanë se është shumë i madh.

Ndërsa pjesa tjetër deklaruan se nuk e kanë parë si një shqetësim. E gjitha kjo është një fakt i qartë në lidhje me ndikimet që sulmet e tilla terroriste, si: masakra e Ditës së Bastijës, sulmi në aeroportin Ataturk në Stamboll, fushatat e terrorit në Tunizi apo edhe sulmet e fundit, kanë mbi turizmin.

Sipas World Travel Market 2016 Industry Report, 76% e drejtuesve të lartë të industrisë së turizmit deklaruan se terrorizmi ka ndikuar fort.

Në Turqi, sipas të dhënave më të fundit, të ardhurat nga turizmi deri në fund të tetorit u ulën me rreth 33%, duke arritur në 8.82 miliardë euro.

Parashikohet që deri në fund të vitit, numri i turistëve të llogaritet me zbritje nga 40 deri në 45%, krahasuar me vitin 2015.

Në anën tjetër, Tunizia ka pësuar rënie dramatike të shifrave të turizmit e po kështu edhe Egjipti.