Transmetuar më 11-12-2016, 21:38

Maqedonia ka mbyllur votimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, me një pjesëmarrje tw lartw të qytetarëve.

Në bazë të njoftimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 17:00, mbi 60.39 % e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit të vitit 2014 pjesëmarrja e votuesve është për 7 % më e lartë.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, tha se pjesëmarrja më e madhe është shënuar në rajonin e juglindjes, në Strumicë dhe Kavadarci, me rreth 67 për qind të zgjedhësve – ku po zhvillohet beteja ndërmjet liderit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, dhe liderit të opozitës LSDM.

Numri më i vogël i votuesve të regjistruar u shënua në njësinë e gjashtë zgjedhore (Tetovë dhe Gostivar), me 48.82 për qind, ndërkohë që në Shkup kanë votuar mbi 66 për qind e votuesve.

Kryetari i KSHZ-së, Çiçakovski, tha se zgjedhjet kryesisht janë realizuar në formë demokratike, megjithëse mbi 300 ankesa të qytetarëve i janë drejtuar Komisionit për shkelje të të drejtës së votës.

Organizatat joqeveritare që kanë vëzhguar procesin zgjedhor kanë raportuar për një varg parregullsish gjatë procesit të votimeve.

“Mbi 2 mijë qytetarë nuk kanë arritur të realizojnë të drejtën e votës, sepse nuk kanë figuruar në regjistrin zgjedhor”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Civile për Liri, Xhabir Deralla.

Sipas tij “Komisionet Zgjedhore vazhdojnë të shkelin procesin zgjedhor”.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoni janë hapur gjithsej 3,480 vendvotime kurse në garë kanë qenë 6 parti politike dhe pesë koalicione me gjithsej 1,092 kandidatë.

Partitë politike vlerësojnë procesin zgjedhor

Partitë politike kanë dhënë vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, të cilat sipas dy partive politike kryesore maqedonase, kanë kaluar në atmosferë të qetë, por me parregullsi që kanë qenë të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore.

"Qytetarët e Maqedonisë kanë dëshmuar se duan ndryshime”, ka thënë Damjan Mançevski nga LSDM-ja opozitare. Megjithatë, ai ka shtuar se pushteti edhe këtë herë nuk është përmbajtur nga presionet e shumta ndaj votuesve për të votuar kundër bindjeve të tyre.

Nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit gjithashtu kanë folur për proces demokratik zgjedhor, por pa hyrë në detaje lidhur me pritjet nga rezultatin zgjedhor.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur me vlerësime pozitive lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Çdo herë kur BDI-ja organizon zgjedhje, ato janë të lira dhe demokratike”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.

Por, nga lëvizja Besa, subjekti i ri politik në këto zgjedhje kanë denoncuar një sërë parregullsish zgjedhore si presione ndaj votuesve, votime të dyfishta, fshirje nga lista e votuesve e të tjera.

“Pavarësisht këtyre presioneve, qytetarët ishin të vendosur për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje” kanë deklaruar nga lëvizja Besa.

Vendvotime në Maqedoni janë hapur sot në orën 7:00, ku të drejtë vote kanë patur rreth 1.8 milionë shtetas, për të zgjedhur përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.

Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, më pas Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, raporton REL. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet. Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashikohen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore.