Transmetuar më 15-11-2016, 20:12

Këshilli Kombëtar i Integrimit u mblodh me pjesëmarrjen e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, e cila për prezantimin e progres-raportit të fundit ka kërkuar që të mos kishte prezencë të medias.

Kamerat u lejuan vetëm për pak minuta për ca pamje, gjatë të cilave kryetarja e këtij Këshilli, Majlinda Bregu, i kërkoi Qeverisë të sjellë strategjinë e veprimit. Ajo tha se pas rekomandimit për hapjen e negociatave, Qeveria nuk duhet të flejë mbi dafina. Si kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, deputetja opozitare rekomandoi hartimin sa më shpejt të një strategjie veprimi deri në momentin e nisjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, por e bëri të qartë se nuk kënaqet me rolin e spektatorit.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, kryetarja e Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme, socialistja Arta Dade, i tërhoqi veshët politikës në të dyja krahët, në lidhje me pengesat që i kanë sjellë procesit të integrimit.

Ndryshe nga sa ndodh zakonisht me mbledhjet e Këshillit të Integrimit, të cilat transmetohen drejtpërdrejt nga televizionet, sidomos ato informative, këtë herë medias iu kërkua të dalë nga salla para se ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, të niste prezantimin e progres-raportit.

ABCnews raporton se mësoi që largimin e medias e ka kërkuar vetë përfaqësuesja e Brukselit.

NOA kontaktoi me zyrtarë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ata thanë se ka pasur një dakordësi mes Kuvendit dhe palëve të tjera të përfshirë në këtë mbledhje, që mediat të ishin të pranishme vetëm për të marrë pamje në fillim të aktivitetit.

I njëjti burim i tha NOA-s se nuk ka pasur kërkesë specifike nga Vlahutin që të mos lejohen mediat kur të lexohej fjalimi i saj.

Ish gazetarja kroate Romana Vlahutin u bë analiste, konsulente politike, ambasadore dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të BE-së dhe në fund, ambasadore e BE-së në Shqipëri.

Sipas raportimeve mediatike Vlahutin iu gëzua martesës së saj të dytë vitin e kaluar, me një shtetas serb të Malit të Zi, Vlado Azinovic, ekspert i çështjeve të sigurisë. Mediat e Ballkanit raportojnë se ky i fundit, është i përfshirë në dy projekte të mëdha në Shqipëri. Nga njëra anë ai është i përfshirë në lidhjen hekurudhore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe nga ana tjetër, në sistemet e sigurisë të shtetit shqiptar.