Transmetuar më 18-09-2016, 12:06

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Selim Muçës, ish- kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Në mesazhin e tij Meta thotë se Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri.

Kryeparlamentari shprehet se ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë e bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ‎sepse është ikja e një njeriu të mirë.

Komuniteti Mysliman, besimtarët myslimanë, por dhe miqtë e shumtë të të gjitha besimeve, do ta ndjejnë mungesën e tij.‎

Mesazhi i plotë i kreut të Kuvendit

Me hidhërim të thellë mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të Haxhi Selim Muçës.

Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Duke nisur që nga fillimet e viteve ‘90, duke vazhduar me detyrat e ndryshme që ka mbajtur në strukturën e komunitetit mysliman e deri në Kryesinë e tij si kryetar, Haxhi Selim Muça ka qenë një shembull për t’u kujtuar i punës, i fjalës dhe i besimit.

Kohët e ndryshimeve të mëdha kanë nevojë për njerëz të mëdhenj. Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente tek besimi dhe përkushtimi në besim.

Ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë e bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ‎sepse është ikja e një njeriu të mirë.

Komuniteti Mysliman, besimtarët myslimanë, por dhe miqtë e shumtë të të gjitha besimeve, do ta ndjejnë mungesën e tij.‎ Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata. Ngushëllimet më të ndjera për familjarët e tij të afërt!

Ndahet nga jeta ish- kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça