Transmetuar më 12-09-2016, 12:04

Tiranë, 12 shtator 2016, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Ai i përcolli urimet fillimisht kreut të Komunitetit Mysliman, dhe më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve. Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi këtë festë si një ditë reflektimi dhe sakrifice për të qenë bashkë me më të dobëtit dhe ata në pamundësi.

“Secili prej nesh, për të arritur diçka duhet të sakrifikojë. Edhe në rastin e Ibrahimit apo Abrahamit sakrifica që kërkohej ishte biri. Por, nuk besoj se sot koha kërkon këto sakrifica. Sot kërkohet pak sakrificë nga rehatia jonë për të ndihmuar një fqinj në nevojë, të sakrifikojmë pak nga bollëku ynë për të ndihmuar një nevojtar, dikush që është me ndihmë ekonomike”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se gjatë ditës së sotme, Bashkia e Tiranës do të shtrojë drekë në mensat sociale, si dhe do të vizitojë disa familje në nevojë, për të treguar se solidariteti është pjesë e këtij qyteti.

“Në festa të tilla kuptojmë se na bashkojnë më shumë gjëra, se sa ato që na ndajnë, edhe përtej mllefit, sherreve, ka shumë hapësirë për të qenë më të dashur me njëri-tjetrin, më bashkëpunues, më solidarë”, shtoi Veliaj.

Ai falenderoi Komunitetin Mysliman për rolin që luan, jo vetëm si një faktor i rëndësishëm për harmoninë fetare, por edhe për kontributin dhe solidaritetin që tregon çdo ditë me të gjitha nevojat e qytetit.

“Ju jam shumë mirënjohës! Mezi pres që vitin tjetër festimet t’i kemi përballë rrugës, aty ku xhamia e re po merr hov. Ju kërkojmë ndjesë për kamionët që keni pasur këto ditë teksa kemi shtruar rrjetin e ujësjellësit. Megjithatë, meqenëse kjo është një festë e sakrificës, kemi sakrifikuar pak teksa Tirana do të bëhet një qytet më i mirë, falë edhe mirëkuptimit dhe durimit që kemi nga të gjithë”, përfundoi Veliaj.