Transmetuar më 03-09-2016, 19:41

Nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, Nënë Tereza do të shenjtërohet nesër nga Papa Françesku në Vatikan. Në ceremonitë e shenjtërimit pritet të marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Për arsye të rrënjëve të saj, Nënë Tereza bën krenarë shumë shqiptarë, të cilët pritet të marrin pjesë masive në ceremonitë e Vatikanit.

Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.

Monika Besra, në Bengal, nëna e 5 fëmijëve është shprehur se Nënë Tereza e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak, shkruan Shqip. Familja e saj kishte provuar shumë gjëra, por asgjë nuk po funksiononte.

“Ajo po vdiste po vdiste. Më 5 shtator 1998, në përvjetorin e parë të vdekjes së Nënë Terezës, një nga motrat mori medaljen e Marias, që ka prekur direkt trupin e Nënë Terezës gjatë funeralit dhe e vendosi në stomakun e Monikës dhe bëri një lutje të thjeshtë: ‘Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfrit. Bëj diçka për Monikën’. Kjo ndodhi në orën 5 të pasdites. Në orën 1 të mëngjesit, Monika u ngrit në mes të natës, shkoi në banjë dhe zbuloi se barku i saj ishte i rrafshët”, rrëfen një prift.

Në vitin 2008, u bë e ditur se Nënë Tereza kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.

Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv.

Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.

Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.