Transmetuar më 23-08-2016, 08:21

Prishtinë, 23 gusht 2016, NOA.al- Radio Televizioni i Kosovës, është sulmuar me granatë dore nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku është shënuar një shpërthim i fuqishëm në zonën e transmetuesit të valëve.

Brenda godinës së RTK në kohën e ngjarjes ka pasur gazetarë dhe staf, por fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar në njerëz.

Paraprakisht dyshohet se sulmi ka ndodhur me granatë dorë, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Fillimisht nga policia është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe më pastaj janë kryer procedurat e mëtutjeshme policore, duke përfshirë kontrollimin e hapësirës, mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale, në bazë të të cilave dyshohet se në pjesën e prapme, anash objektit të RTK-së ka shpërthyer mjeti i dyshuar granat dore.

Policia është duke punuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive, duke përfshirë kamerat e sigurisë, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së autorit të këtij rasti./a.y/noa.al