Transmetuar më 03-06-2016, 23:14

Këngëtari dhe humoristi Ermal Mamaqi, sonte në mbrëmje (foto e parë) zuri vendin e moderatorit të programit “Zonë e Lirë” duke e drejtuar ai emisionin në minutat e para.

Pasi më herët kishte deklaruar divorcin me Digitalb, Ermal Mamaqi, njoftoi nga programi i Klan se ai do të jetë në muajin shtator pjesë e këtij televizioni.

Maraqi njoftoi se do të jetë sërish me programin e tij “6 ditë pa Ermalin”.

Gjatë emisionit të sotëm, i ulur në vendin e zakonshëm të moderatorit Arjan Çani, Ermal Mamaqi habiti shumë njerëz: “Pas lajmit të ardhjes sime në Tv Klan, Arjan Çani ka patur një përplasje me Presidentin e Televizionit, Aleksandër Frangaj dhe më pas Çani është larguar nga ky program, të cilin do ta prezantoj unë deri në fund të sezonit”, – tha ai.

Pas pritjes së dy të ftuarve, Soni Malaj dhe Gena, Arjan Çani ka ardhur në studio (foto e dytë) duke u ulur në panelin e të ftuarve, duke demonstruar kështu se ishte një shaka pas ardhjes së “6 Ditë pa Ermalin” në Tv Klan.

Mamaqi sqaroi se kontrata me Digitalb-in ka mbaruar dhe ai ka vendosur që të vijë në këtë moment në Klan.