Transmetuar më 27-04-2016, 07:50

Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë.

Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të mërkurën, Shqipëria renditet në vendin e 106, me 51 pikë, ndërsa Kosova radhitet në vendin e 96 me 49 pikë.

Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.

Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Nga vendet e rajonit, vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë.

Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova  ishin radhitur në vendin e 98.

Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80, ndërsa Serbia vendin e 87. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104 dhe Maqedonia në vendin e 136.

Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë.

Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar edhe mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit, shkruan ‘Zëri i Amerikës’.

Në Serbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike, gjë që ka ndikuar në shtimin e auto-censurës. Serbia ka shënuar rënie në renditje për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së Aleksandër Vuçiç kundrejt gazetarëve hulumtues, censurës dhe zvogëlimit të mundësive për raportim kritik e të pavarur.

Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre tndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.

Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.

Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet.

Sipas Freedom House vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë.