Transmetuar më 28-01-2016, 05:26

Nga Edmond Tupja

Shpesh, analistët tanë të nderuar, në debatet e tyre televizive, por edhe në shkrimet e tyre serioze (kur janë mirëfilli të tilla), përdorin jo rrallëherë imazhin e “tunelit, në fund të të cilit nuk duket asnjë dritë”, për të ilustruar gjendjen tranzicionale të Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike, por që, në fakt, vazhdon të jetë, si shumica e shteteve afrikane, thjesht një demokraturë, sidomos nga viti 2013 e këtej.

Imazh interesant, ky, i tunelit të mësipërm, por unë jam  i mendimit se edhe fjala shqipe (me prejardhje nga turqishtja, ka fort të ngjarë) që ky shkrim mban për titull, i përshtatet jo më pak situatës në të cilën po përpëlitet sot, sigurisht sa majtas e djathtas, demokratura shqiptare që kërkon, të paktën në dukje, t’i mbijetojë vetvetes.

Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), fjala “qorrsokak” përkufizohet, së pari, si “udhë e verbër”, pra, pa krye; së dyti, në kuptimin e saj të figurshëm, ajo përkufizohet si “gjendje pa rrugëdalje”. I ftoj, pra, analistët tanë të nderuar, por edhe ata që jo përherë janë të tillë, ta përdorin fjalën “qorrsokak” më shpesh në përsiatjet e tyre, aq shumë kam përshtypjen se ajo i përshtatet më së mirë situatës së sotme në shtetin tonë demokraturial.

Le të më lejojë, gjithsesi, lexuesi im thellë- sisht i vëmendshëm e i paanshëm që të merrem më gjatë me fjalën “qorrsokak”. Kjo fjalë është një kompozitë, do të thoshin gjuhëtarët, sepse përbëhet nga dy tema, “qorr” dhe “sokak”. Sigurisht, fjala “qorr” sot më ngjan tejet aktuale te ne, sepse udhëheqja jonë e nderuar (dykrenore, çudi, si flamuri ynë!) po përpiqet, në mos me 100, të paktën me 99 marifete, t’i hedhë sadopak hi syve opinionit publik lidhur me të ardhmen e ndritur të vendit në gjirin e Bashkimit Europian, për të zëvendësuar, me gjasë, Britaninë e Madhe nëse ajo vendos me referendum të dalë nga gjiri i tij.

Për sa i përket fjalës “sokak”, fjalori i lartpërmendur e përkufizon atë si “rrugë të ngushtë me kalldrëm”. Duke e menduar gjatë këtë fjalë, arrita, para pak kohësh, në përfundimin se ajo ka një lidhje, e cila s’para bie fort në sy, me pushtetin.

Nën dritën e përkufizimit që i ka bërë, në shekullin XVIII, filozofi francez D’Alembert politikës si “arti i të mashtruarit të njerëzve”, po guxoj të pohoj se kjo lidhje, për klasën tonë politike në veçanti, qëndron edhe te rrokja e parë e fjalës “kalldrëm”, fjalë kjo që hyn, siç e shihni, në përkufizimin e fjalës “sokak”, sepse “kall”, në gjuhën tonë, ku gjen proverbin e llahtarshëm “Shtatë (ose, edhe më keq, nëntë) hile, një trimëri”, pra, “kall” ka edhe kuptimin “mashtroj”, si edhe mbi 90 sinonime (shih “Fjalorin sinonimik të gjuhës shqipe”, Botimet EDFA, Tiranë, 2007).

Rrjedhimisht, kush i futet rrugës apo sokakut që të shpie në majat më të larta të pushtetit (O Zot, ç’fjalë e lemerishme që fillon me pusht…!), çka e dëshmon edhe shprehja popullore “marr sokakun përpjetë”, pra, ngjitem lart në pozitë, ai njeri, pra, domosdo do të merret me politikë, pra, për pasojë të pashmangshme, do të mashtrojë, nëse i qëndrojmë përkufizimit të politikës nga D’Alembert-i!

Sigurisht, prania e kalldrëmit ia vështirëson çdokujt ngjitjen në majat e pushtetit, sepse te gurët e kalldrëmit mund të rrëshqasësh apo të pengohesh e të rrëzohesh duke thyesh hundët më lehtë sesa kur ecën apo vrapon në asfalt, por, me sa duket, politikanë tanë ia kanë marrë dorën, më saktë këmbën, edhe shtigjeve më të rrezikshme me gurë buzë greminës së pushtetit, tamam si dhitë apo, më saktë, si cjeptë e egër, pavarësisht shprehjeve popullore “shkon si cjapi te kasapi” apo “s’është cjap për atë zile” (Çudi e madhe: deri më sot, thuajse askush nga politikanët tanë nuk ka shkuar si cjapi te kasapi, por thuajse të gjithë janë cjepër për zilet e politikës, të paktën këtë po e tregojnë edhe me bëmat e tyre të papara, aq sa thuhet se i kanë zili Obama e Putini, ndër shumë e shumë të tjerë, që do të zhgënjehen prej meje kur të shohin se nuk ua kam përmendur sot emrat e nderuar!).

Së fundi, më duhet të theksoj se politikanët tanë të sotëm paskan një fat të paimagjinueshëm: në sokakët, pra, në rrugët me kalldrëm të politikës shqiptare, nuk mbin asnjë lloj peme, pra, nuk shihet ndonjë fik, nga i cili mund të biesh e të vritesh keq në atë vend që nuk quhet më kurriz.

Megjithatë, fjala “sokak”, në lidhjen e saj me politikën e sidomos me pushtetin, e ka një kunj te tri germat e fundit, të cilat kutërbojnë një erë të padurueshme aq më tepër që “sokak” rimon me “oturak”, erë kjo që ka nisur të ndihet përherë e më shpesh në shtetin tonë demokraturial. Nxito, pra, lexuesi im, të vësh kundërgazin! /Gazeta Panorama/