Transmetuar më 09-01-2016, 20:04

Analisti dhe gazetari, Lorenc Vangjeli ka komentuar debatin e fundit të Sali Berishës me Blendi Fevziun dhe Andi Bushatin.  Ai thotë se Berisha ka hyrë në debat me ta, pasi tashmë ai mund të bëjë vetëm gazetarin.

Ndërkohë, Vangjeli tregon edhe një episod që ka ndodhur në 1996­-n, që sipas tij nuk e ka treguar askush deri më sot. Sipas tij, Fevziu, Bushati dhe disa gazetarë të tjerë janë rrëmbyer me një furgon në mes të ditës në Tiranë.

“Kanë qenë gjithherë në konflikt, por përfundimi i këtij konflikti kanë qenë gjithherë i ditur. Edhe pse me beteja të humbura herë­ herë, luftën mes medias dhe politikës e ka fituar gjithmonë media. Përballë një gazetari, edhe nëse ka pasur fitore të pjesshme, triumfin në sherr nuk e ka pasur kurrë një politikan. Kjo është një e vërtetë që mund ta dëshmonte dikur ish-­Presidenti amerikan Nikson e mund ta dëshmojë sot ish­-Presidenti dhe kryeministri shqiptar Berisha. Dy skaje të largëta të një segmenti që i bashkon në një farë mënyre qasja që ata kanë pasur ndaj medias. Në vitet 90­të, atëherë kur digjeshin gazeta, rriheshin gazetarë dhe burgoseshin të tjerë për fjalën e lirë, për shkak të lirisë së fjalës dhe për hir të lirisë përtej fjalëve, Berisha u pikturua si tiran i medias. Por në asnjë rast ai nuk mundi të fitojë ndaj njerëzve të saj. As kur i digjte gazetën Nikollës, as kur burgoste Sandrin e Martinin, as kur rrihte një listë të gjatë me gazetarë dhe as kur furgoni i tij i policisë rrëmbente Fevziun me të tjerë në mes të ditës e në mes të Tiranës. Vetë Fevziu dhe gazetarë të tjerë nuk kanë folur kurrë për këtë episod kriminal që ishte epilog i dhunës po kriminale që u bë kundër opozitës në 28 maj 1996 në sheshin Skënderbej. Por nëse ai furgon do të kishte përfunduar aty për ku ishte nisur, disa portrete mediatikë të sotëm nuk do të ishin me gjasë të tillë. Ishte dhe Bushati në atë furgon, sa për një kujtesë të së djeshmes për të kuptuar më mirë ca histori të shkëputura të së sotmes”, shkruan Vangjeli për Javanews./noa.al/