Transmetuar më 16-05-2015, 21:53

Tre herë më shumë dozë narkoze se sasia normale që duhet t’i jepet një pacienti.

Kjo ka ndodhur me vajzën 15 vjeçare nga Saranda, Konstandina Anagnosti e cila vdiq papritur vitin e kaluar, pak orë pasi kishte shkuar te dentisti.

Adoleshentja jetonte në Janinë dhe prindërit e saj të tmerruar nga vdekja, kishin dyshimet e veta.

Ata kërkuan që vajza t’i nënshtrohej një tjetër ekspertizë mjekoligjore të cilën e kryen në Greqi pasi nuk u bindën nga deklarimi zyrtar i mjekëve shqiptarë se vdekja kishte ardhur nga një hemorragji e brendshme.

Dhe orët e fundit është publikuar shkaku zyrtar i vdekjes së të miturës, raportojnë mediat greke ditën e shtunë.

“Në gjakun e vajzës 15 vjeçare, dy orë para se të vdiste, ishin gjetur 13.6 mg/ml ilaç narkoze ndërkohë që sasia e lejuar është nga 2 deri 5 mg/ml, në përputhje me moshën dhe peshën që ka çdo pacient”, – thuhet në ekspertizën e mjekut Theodhors Vuiuglakis, të spitalit grek në Janinë.

Reagimi i babait të Konstandinës, ishte i ashpër: “Do të vazhdoj të kërkoj të vërtetën sepse dua të di se çfarë i bënë sime bije dhe pse autoritetet shqiptare përpiqen të fshehin dhe mbulojnë një krim ndaj një të miture”, – tha babai i 15 vjeçares.

Adoleshentja ishte duke shkuar me taksi nga Saranda në Janinë kur pësoi gjendje të fikëti. Taksisti, mik i nënës së të ndjerës, tha se e dërgoi në spital ku u konstatua vdekja e të miturës.

Mjeku ligjor në morgun e spitalit të Sarandës tha se vdekja rezultoi të ishte natyrale. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të palës shqiptare, shkak për vdekjen ka qenë hemorragjia e brendshme.

Kurse babai i të ndjerës ka dyshime edhe më të forta: “Ime bijë ishte e shëndetshme dhe nuk kishte asnjë problem. Kur e pashë në morg, dallova një shenjë në dorën e saj dhe kam dyshimet e mija. Kam frikë se vajza, nuk ka vdekur në makinën taksi. Ajo mund të ketë vdekur në klinikën private”.

Prindi i forcon dyshimet e tij dhe me pikëpyetjet që shtrohen për faktin se vajzës i ishin hequr, sikurse u konstatua në morg, organet vitale dhe truri, duke krijuar vështirësi të mëdha për autopsinë në spitalin grek. /a.b/noa.al/

Autoritetet greke ndalojnë varrimin e vajzës nga Saranda