
Vetëm nga hetimet e dy muajve të fundit është dokumentuar se janë mashtruar mbi 30 biznesmenë e shtetas të tjerë, si dhe ka informacione e po hetohet për rreth 900 persona të mashtruar në këtë mënyrë nga kjo skemë, e ngritur nga një person i veshur me kostum gri dhe kravatë të hollë të zezë i quajtur Ledjan Muçaraku
Fier, 30 Qershor 2014 NOA.al – Një skemë e re piramidale është zbuluar në Fier, duke “marrë më qafë” disa njerëz të cilët i dhanë para një 29-vjeçari duke ia besuar kursimet e tyre në përpjekje për të përmirësuar financat e tyre.
Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, kryen sot operacionin policor “Kravata e Zezë”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i Ledjan Nasi Muçaraku, vjeç 29, nga Grykë Seman Fier.
Burime zyrtare policore thanë për noa.al se Muçaraku dyshohet se kishte krijuar një skemë të pastrimit të produkteve të krimit nëpërmjet kontratave huadhënie parash me interes.
I riu, ishte i proceduar një herë për korrupsion në Vlorë.
Pas një hetimi profesional dhe intensiv 5 mujor të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethi Gjyqësor Fier u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Mbi bazën e materialeve të siguruara gjatë këtij hetimi Gjykata e rrethit Gjyqësor Fier caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Ledjon Muçaraku.
Detajet e zbulimit
Drejtoria për Krimin Ekomomik e Financiar në Policinë e Shtetit kishte marrë informacion për një rast të dyshimtë të funksionimit të një skemë të pastrimit të produkteve të krimit dhe veprimtarisë kriminale, përmes lidhjes së kontratave të huadhënies me biznesmenë, persona fizik dhe individ nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Lezha, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi, Kavaja, mbi 900 kontrata të tilla me vlera nga 9000 deri 250 000 euro.
Nga hetimi i kryer u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të autorit të dyshuar Ledjon Muçaraku, i cili prej vitit 2007 e në vazhdim kishte krijuar një skemë mashtruese.
Fillimin e skemës e kishte realizuar me studentë, duke iu ofruar sasi të vogla parash nga 5000 – 10 000 lekë me interes nëpërmjet llogarive bankare, të cilat jua merrte sërish në dorë dhe më pas me kopje të deklaratës noteriale dhe nxjerrjes pranë bankës të gjendjes së llogarisë së tij bankare dokumentonte fiktivisht moskthimin e shumës nga personat dhe hartonte e dërgonte padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke falsifikuar dhe dokumentet e padive sikur ishin bërë nëpërmjet studiove ligjore, duke i akuzuar viktimat padrejtësisht për mashtrim, kërcënim e fyerje dhe dëmtime me dashje.
Po ashtu hapte dhe padi civile që t’i ktheheshin shumat e parave dhe interesat, pavarësisht se ato para realisht nuk ua kishte dhënë.
Një pjesë të padive i pushonte me mosparaqitje ose me kërkesë për pushim, duke siguruar para të tjera nga viktimat për të pushuar procesin gjyqësor të hapur ndaj tyre.
Gradualisht e zgjeroi skemën e tij të mashtrimit dhe aktivitetit të tij kriminal me biznesmenë të interesuar për të marrë para me interes, të cilëve ju sugjeronte të bëjnë depozitime paraprake në llogarinë e tij me përshkrimin “shlyerje detyrimi” ndaj Ledjon Muçaraku, në vlerat nga 1000 lekë deri në 500 000 lekë.
Po ashtu hartonte thuajse çdo ditë nga 1-2-3 akte noteriale me vlera marramendëse parash të dhëna me interes, me peng pasuri të paluajtshme shtëpi, troje, lokale, etj.
Gjatë gjithë kësaj kohe ju kërkonte para si shpërblim për këtë punë dhe për aktet noteriale në vlera që shkonin nga 15 000 mijë lekë deri në 500 000 pesëqind mijë lekë për kontratë.
Për t’u siguruar këto para i dyshuari Ledjon Muçaraku, përveç se u kërkonte t’i depozitonin para në llogaritë e tij bankare, u kërkonte edhe para në dorë dhe shpërblime të tjera gjatë gjithë kohës të të ashtuquajturës përpjekje për t’u kaluar shumat në bankë, gjë e cila nuk ndodhte kurrë veç ndonjë vlere të papërfillshme, sa për të mbajtur në këmbë skemën e mashtrimit.
Një pjesë të mirë të klientëve të tij arrinte t’i mashtronte sërish duke i bindur të shkonin para noterit e të deklaronin me vullnetin e tyre se ata i kishin marrë para në dorë nga Ledjoni dhe ia kishin kthyer atij me bankë dhe se nga ky moment i paraqitjes para noterit nuk ka më asnjë detyrim ndërmjet palëve.
Më pas shkonte në bankë dhe printonte gjendjen e llogarisë bankare. Me akte të tilla ka hapur dhjetëra procedime fiktive dhe ka arritur të fitojë gjyqe civile për kthimin e shumave plus interesin, pavarësisht se realisht ai këto vlera parash nuk i kishte dhënë.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet, ku deri aktualisht janë siguruar dhjetëra deklarata noteriale me vlera nga 6000 euro deri në 230 000 euro, dhjetëra procedime penale e civile të hapura fiktivisht nga Ledjon Muçaraku.
Ndërkohë në ambientet e banesës në rrugën Myslym Shyri në Tiranë, të marrë me qera iu gjetën 51 kontrata noteriale, 28 vendime gjykate, 18 kërkesë padi, 226 fatura bankare, certifikata pronësie, fletëthirrje gjykate, certifikata personale, etj.
Vetëm nga hetimet e dy muajve të fundit është dokumentuar se janë mashtruar mbi 30 biznesmenë e shtetas të tjerë, si dhe ka informacione e po hetohet për rreth 900 persona të mashtruar në këtë mënyrë nga kjo skemë, e ngritur nga një person i veshur me kostum gri dhe kravatë të hollë të zezë i quajtur Ledjon Muçaraku.
Personat të tjerë të mashtruar prej tij janë të lutur të denoncojnë ose të njoftojnë pranë Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës shkallës së Parë Fier.
Deri aktualisht nga Sektori për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e rrethit Gjyqësor Fier është vërtetuar se shtetasi Ledjon Muçaraku është autori i dyshuar i veprat penale të kryera në dëm të shumë personave, si:
Ngritja e funksionimi i një skeme mashtruese me qëllim fitimi material, vepër penale e parashikuar nga neni 143/a “Skemat mashtruese dhe piramidale”, e cila dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet,
Kallëzimit të rremë, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.
Deklaratat e rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore, neni 305 /a i Kodit Penal.
Deklarimi i rremë para prokurorit , neni 305/b i Kodit Penal.
Dëshmisë së rremë para gjykatës, dhe 306 i Kodit Penal.
Njoftimi i rremë në organet e rendit, parashikuar nga neni 272 i Kodit Penal.
Falsifikimit kompjuterik të dokumenteve parashikuar nga neni 186/a, i Kodit Penal.
“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të përfituara nëpërmjet veprës penale bazë të mashtrimit, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pika “dh” paragrafi i parë dhe pika “c” paragrafi i fundit, thirrje ndihme për pastrim parash dhe vetëpastrim parash. /a.c/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





