Transmetuar më 30-06-2014, 20:58

Pas Juventusit edhe Franca i falet djaloshit të artë Paul Pogba, që i hapi rrugën kalimit të gjelave në çerekfinalet e Brazil 2014.

21 vjeçari zgjidhi nje ndeshje shumë të komplikuar për djemtë e Deschamps përballë Nigerisë, që pavarësisht disfatës finale, i hapi shume pune gjelave duke i futur drithërimat bluve që mundën të marrin frymë lirisht vetëm pak sekonda para vërshëllimës finale, kur vulosi rezultatin autogoli i Yobo, 2-0, dhe gjelat shikojnë çerekfinalen.

Fillim pa shumë shkëndija mes dy skuadrave që  shiheshin në pasqyrë duke studiuar lojën e njëra-tjetrës.

Për të parën tentativën e parë të gjelave drejt portës së mbrojtur nga Eneyama duhej pritur minuta e 15-të, megjithatë edhe në atë rast tentativa e Giroud ishte për tu harruar.

Një aksion i nisur nga Pogba u finalizua nga vetë ai, megjithatë goditjes fluturimthi të mesfushorit të Juventusit iu përgjigj po me një fluturim Eneyama dhe falë një pritje të jashtëzakonshme, i mohoi 21-vjecarit kënaqësinë e golit të tij të parë në një Kupë Bote. Për të parë një tjetër rast nga ana e formacionit të Deschamps duhej pritur minuta e 40.

Metju Debushi pasi u asistua saktë nga Valbuena goditi menjëherë, megjithatë fati nuk ishte me francezët, pasi topi i gjuajtur nga mbrojtësi i Neëcastle përfundoi pak centimetra jashtë kuadratit të mbrojtur nga Eneyama.

Në të 44-tën Emmanuel Emenike lëshoi një predhë nga distanca që drodhi edhe duart e Lloris, gjithsesi kapiteni i gjelave arriti ta grushtonte topin.

Pak sekonda më vonë Franca kishte një tjetër shans të mirë, por një kundërsulm i shpejtë i Valbuena nuk u shfrytëzua nga Giroud teksa sulmuesi i Arsenalit nuk arriti të kuptohej me Benzema.

Pjesa e dytë nisi me një Nigeri të mirëvendosur në fushë, që nuk i lejonte aspak hapësira kombëtares së gjelave, megjithatë në të 55-tën afrikanët humbën një nga pikat e tyre më të forta pasi mesfushori i Lazios, Onazi braktisi fushën mbi barrelë, pas një ndërhyrje të rëndë që mori nga Blaise Matuidi.

Me minutat që kalonin Franca e kuptoi shumë se për tu kualifikuar në çerekfinale duhej të rriste ndjeshëm nivelin e lojës së saj.

Në të 70-tën një kombinim i mrekullueshëm mes Griezmann dhe Benzema nxorri këtë të fundit të vetëm përballë Eneyamës, megjithatë fillimisht portieri e më pas Victor Moses shëptuan Nigerinë nga disavantazhi.

7 minuta më pas kombëtarja e gjelave kishte një shans të dyfishtë për të realizuar. Goditja e Benzema u largua në vijën e portës nga Obi Mikel ndërkohë që edhe atëherë kur Eneyama ishte i mundur fati nuk ishte me Francën, pasi goditja e Cabaye nga jashtë zone u stampua në traversë.

Eneyama tejkaloi sërish vetevetën në minutën e 78 me devijimin e tentativës së Benzema, por si çdo njerëzor i thjeshtë dhe ai pati momentin e tij të gabimit një minutë më pas kur hodhi gjithçka poshtç me daljen e tij të pastudiuar, që i dha mundësi Paul Pogba të kalonte në avantazh gjelat

Goli shokoi Nigerinë që në minutën e 84 për pak sa nuk pësoi golin e dytë nga Grizemann, dhe u gjunjëzua përfundimisht në sekondat e fundit kur kapiteni Yobo dërgoi në rrjetën e tij një top të hedhur në zonë, për ti dhënë fund ëndrrës së shqiponjave afrikane, epitet që duket se nuk u shkon dhe aq të mposhtur tashmë nga gjelat e Francës të cilët tani janë edhe më të karikuar për ta bërë këngën e tyre të dëgjohet fort në këtë Botëror.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit