
Tiranë, 30 qershor 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se PD mbështet pas asnjë kusht procesin e integrimit, gjatë takimit me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.
Ky i fundit shprehu mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për rolin e rëndësishëm të Partisë Demokratike në vazhdimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë.
Duke shprehur keqardhje se mungesa e konsensusit nga opozita e djeshme vonoi miratimin e 3 ligjeve dhe shtyu për dy vite radhazi vendimmarrjen për statusin,
Basha theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur pa asnjë kushtëzim procesin e integrimit që ditën e parë që kaloi në opozitë e do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
“Zbatimi i Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të gjykatave mbeten një sfidë e madhe, ku qeveria refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit. Konsensusi është arritur me vështirësi në këto vite në Shqipëri, por kur është arritur është zbatuar. Krejt e kundërta ka ndodhur nga mazhoranca aktuale, akti i parë i të cilës ishte prishja e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil që u ndoq nga spastrimet masive duke larguar mijëra punonjës nga detyra pa asnjë motiv ligjor”, tha kreu i opozitës.
Ai deklaroi se pavarësia e institucioneve dhe e gjyqësorit është në rrezik. Më pas, Basha njohu Barroson me kapjen e institucioneve nga qeveria dhe me faktin se në 10 muaj janë ndërprerë mandatet e dy krerëve institucionesh të pavarura, ndërsa Presidentit të Republikës i janë hequr kompetenca që sipas ligjeve dhe Kushtetutës i ka ushtruar prej 15 vitesh.
“Lufta ndaj korrupsionit është prioritet kyç. Korrupsioni politik është forma më e rëndë e tij. Përtej retorikës dhe fjalëve të bukura qeveria është angazhuar në ngushtimin e hapësirës parlamentare dhe ligjore të opozitës. Opozitës i mohohet e drejta kushtetuese e hetimit parlamentar, si në rastin e vjedhjes së të dhënave në serverin e tatimeve apo në kërkesën për hetimin e emërimit të personave me precedentë të rëndë kriminale në poste të rëndësishme të administratës. Dhuna fizike ndaj deputetëve të PD në parlament, moszbatimi dhe refuzimi i konsensusit për reformat e rëndësishme janë realiteti i përditshëm i politikës konfliktuale që ofron mazhoranca sot”, u shpreh gjatë fjalës së tij kryetari i Partisë Demokratike.
Basha e siguroi Barroson se pavarësisht sfidave, Partia Demokratike mbetet e angazhuar vendosmërisht për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të ruajtur dhe konsoliduar standartet dhe normat europiane të demokracisë, lirisë dhe shtetit ligjor. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





