Transmetuar më 30-06-2014, 15:59

Tiranë, 30 qershor 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se Kuvendi do të jetë platforma e dialogut politik dhe gjithëpërfshirjes, në funksion të reformave kyçe për të cilat ka nevojë Shqipëria dhe qytetarët e saj, gjatë takimit me Presidentin e Komisionit Evropian, José Manuel Barroso.

Meta vlerësoi vizitën e Presidentit Barroso në Tiranë si një rikonfirmim të vëmendjes së Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë, vetëm disa ditë pas miratimit nga Këshilli Evropian i statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Nga ana e tij Barroso vuri në dukje se pas miratimit të statusit të vendit kandidat, Bashkimi Evropian do t’i kushtojë gjithnjë e më tepër vëmendje Shqipërisë dhe ecurisë së axhendës së saj evropiane. Ai vlerësoi se roli i Kuvendit dhe aktiviteti parlamentar merr një dimension të rëndësishëm të ardhmen evropiane të vendit.

Meta dhe Barroso diskutuan mbi zhvillimet në rajon, ku u evidentua roli i vazhdueshëm konstruktiv i Shqipërisë në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik rajonal si dhe rëndësia e forcimit të perspektivës evropiane për të gjithë vendet e rajonit.

Të pranishëm në këtë takim ishin dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dhe Bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Taulant Balla. /a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit