
Tiranë, 30 qershor 2014, NOA.al-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një bisedë telefonike siguroi Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, se do të bëjë gjithçka për të mbështetur përparimin e reformave, kyçe për avancimin e vendit drejt BE, orientuar bindshëm drejt standardeve europiane.
Sipas zyrës për shtyp të Presidencës bëhet e ditur se Van Rompuy uroi për statusin e ri që gëzon tashmë Shqipëria si vend kandidat i BE, dhe nënvizoi se ky është vlerësim i drejtpërdrejtë i arritjeve që ka shënuar vendi.
Ai vuri në dukje se dhënia e statusit është gjithashtu tregues i qartë se BE nuk po vuan nga lodhja ndaj zgjerimit, dhe shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave e bashkëshoqëruar nga mbështetja dhe angazhimi i BE.
Presidenti Nishani përgëzoi me këtë rast, edhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Partneritetit dhe Asocimit me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, duke e siguruar se Shqipëria do të mbetet një aleate e ngushtë përkrah BE për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatës në Ukrainë, ndërsa Rompuy shprehu vlerësimin maksimal për këtë mbështetje dhe shprehu besimin për t’u takuar së shpejti në Tiranë. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





