
Tiranë, 30 qershor 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në një takim në kuadër të vizitës që po bën në vendin tonë Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.
Presidenti e cilësoi vizitën e tij në vendin tonë si një shenjë vlerësimi të veçantë nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe vendet anëtare, për progresin që ka bërë Shqipëria në rrugëtimin e saj europian.
Duke përcjellë mirënjohjen dhe përshëndetur vendimin për statusin e vendit kandidat, Presidenti Nishani e siguroi Presidentin Barroso, dhe nëpërmjet tij Komisionin Europian dhe të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të BE, se nuk do të zhgënjehen nga ky vendim i merituar, dhe se integrimi europian është e vetmja rrugë e zgjedhur nga Shqipëria dhe shqiptarët.
Presidenti Nishani deklaroi se vendimi për statusin, është jo vetëm njohje e reformave që janë ndërmarrë në vite për transformimin e Shqipërisë, dikur diktatura më e egër në Europë, por edhe një inkurajim për të vazhduar në rrugën e reformave, aq të domosdoshme për vendin. Duke vlerësuar fjalën dhe mesazhet shumë të qarta orientuese të Presidentit Barroso, në Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti Nishani vuri në dukje se zhvillimi i mëtejshëm i demokracisë, shtetit ligjor, reformës në drejtësi, konsolidimit të administratës publike, respektimit të të drejtave të njeriut, janë sfida që duhen trajtuar me përparësi. Ai garantoi, me këtë rast, se si President i Republikës, do të mbështesë çdo reformë ligjore dhe kushtetuese të ndërmarrë apo që do të ndërmerret nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare.
Dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe ndanë të njëjtin mendim për sa i përket rolit kyç që luan Shqipëria në rajon, si faktor aktiv, konstruktiv dhe stabilizues në rajon, dhe në këtë kontekst, Presidenti Nishani vlerësoi rolin që BE vazhdon të luajë në dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi, në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve, por edhe në avancimin e proceseve integruese e demokratizuese në të dyja vendet.
Kreu i Shtetit vlerësoi edhe Marrëveshjet e nënshkruara rishtaz nga Bashkimi Europian me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, duke nënvizuar se Shqipëria do të jetë përkrah BE në garantimin e lirisë dhe demokracisë kudo.
Nga ana e Tij, Presidenti Barroso vlerësoi progresin e Shqipërisë përgjatë viteve të fundit dhe garantoi se Komisioni Europian do të vijojë të jetë një mik dhe partner i hapur me Shqipërinë. Në vijim, Presidenti Barroso nënvizoi se procesi i integrimit europian është i një rëndësie kombëtare, ndaj kërkon konsensus si dhe angazhimin dhe kontributin e të gjitha palëve politike./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





