
Kurbin, 30 qershor 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Kurbinit.
Gjatë këtij takimi kryedemokrati deklaroi se sfida dhe qëllimi kryesor i zgjedhjeve, që po zhvillohen në gjithë piramidën e Partisë Demokratike, ka qenë dhe është të nxirren me votë të lirë drejtuesit më të mirë.
Ai tha se është detyrë e drejtuesve të rinj të PD-së të hartojnë alternativën e zhvillimit dhe t’u kthejnë besimin qytetarëve.
“Drejtuesit duhet të garantojnë përveç vendosmërinë edhe gadishmërinë dhe përkushtimin për të përqafuar alternativën tonë, bashkimi dhe ribashkimin e gjithë kontributeve historike, hapjen dhe ripërtëritjen e partisë, opozitën e fortë dhe të vendosur por opozitën me fakte. Qytetarët shqiptarë e dinë që ne jemi partia që kemi vullnetin, besimin, energjitë dhe kapacitete për t’ju rikthyer shpresën, për t’i rikthyer besimin dhe për të udhëhequr edhe njëherë vendin drejt arritjes dhe përmbushjes së aspiratave mbarë popullore, për dinjitet, për mirëqwnie, për siguri, për integrim”, u shpreh Basha.
Kreu i PD deklaroi se të gjithë demokratët janë aksionerë të barabartë në këtë sipërmarrje të madhe politike.
Askush, sipas tij, nuk mund dhe nuk do të diktojë zgjedhjen e demokratëve nuk mund dhe nuk do t’i ndalojë të diskutojnë dhe të dialogojnë hapur për gjithçka që duhet bërë më mirë në këtë parti./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





