Transmetuar më 29-06-2014, 10:37

Marrja e vendimit për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë nga Këshilli i Ministrave të BE, bashkoi të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Brigadave, personalitete të larta të jetës politike të vendit, ministra të kabinetit qeveritar, politikanë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, protagonistë të Shoqërisë Civile, medias, si dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia u hap nga Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e cila u shpreh se kjo ceremoni i dedikohet arritjes së përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve për marrjen e statusit të vendit kandidat, përpjekje që i dha një tjetër dimension imazhit të Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë. “Të qënurit zyrtarisht vend potencial për t’ju bashkuar BE do të jetë për ne dhe duhet të jetë për ne, momenti i duhur i reflektimit për punën e madhe që na pret përpara. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment pozitiv për ti shkuar deri në fund reformave që tashmë ka nisur vendi.”, u shpreh ministrja Gjosha.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në vendin tonë Clive Rumbold, në përshëndetjen drejtuar audiencës theksoi se njohja e Shqipërisë si një vend potencial është një inkurajim i fortë për të vazhduar reformat me vendosmëri. “Unë besoj se dhënia e statusit kandidat thekson angazhimin e vazhdueshëm dhe të fortë të BE për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet për të arritur këtë synim.”- u shpreh ai, ndërsa vlerësoi se “Dhënia e statusit të vendit kandidat është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha është një njohje  dhe vlerësim i merituar i punës së jashtëzakonshme që është bërë nga Shqipëria dhe progresin që ajo ka arritur në rrugëtimin e saj drejt BE.”

Duke e parë statusin e vendit kandidat në një perspektivë më të gjerë, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh se “Dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë është një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor. Ky hap dëshmon angazhimin e BE në rajon dhe kalimin nga një perspektivë e mjegullt në një kthjelltësi me objektiva të matshme.”

Ndërsa Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e tij vlerësoi se bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes palëve është rruga me e sigurt dhe më e suksesshme drejt sfidave të mëtejshme të integrimit. “Unë do të apeloja dhe njëherë tjetër për një bashkëpunim më të ngushtë për të fituar kohën, për të ecur me shpejt drejt realizmit të kësaj sfide madhore që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Ajo që na duhet më shumë në këto momente është urtësia dhe bashkëpunimi, në mënyrë që të çojmë ato në drejtimin e duhur, në drejtimin e Shqipërisë, plotësisht europiane.”

Nga Edi Rama: Shqipëria, kandidat në BE

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit