
Tiranë, 28 qershor 2014, NOA.al- Policia e Tiranës u ka vënë prangat dy persona të cilët u shoqëruan dy netë më parë pasi u dyshuan si të implikuar në vrasjen e biznesmenit Artan Santo, vrasje e ndodhur paraditen e së enjtes në zonën e ish- Bllokut në kryeqytet.
Klodian Gjozi, 28 vjeç, lindur në Mamurras, Krujë, banues në Kapidanaj komuna Ishëm Shijak dhe Sajmir Gjozi, 23 vjeç, lindur në Likmetaj banues në Kapidanaj, komuna Ishëm Shijak u shoqëruan nga efektivët pasi u dyshuan se kishin lidhje me motorin e përdorur nga dy vrasësit për ekzekutimin e biznesmenit 58-vjeçar.
Ata u morën në pyetje për dy ditë rresht dhe gjatë verifikimeve të tjera nuk u gjetën prova të mjaftueshme për t’i implikuar ata në këtë krim.
Megjithatë dy kushërinjtë nuk u kanë shpëtuar dot prangave për shkak se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën armë e fishekë. Në banesën e Klodian Gjozit u gjetën dhe sekuestruan një sasi fishekësh m-56, fishekë – manovër si dhe 3 fishekë armë gjahu, ndërsa në banesën e Sajmir Gjozit, u gjet një armë gjahu për të cilën nuk dispononte leje./k.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





