
Joachim Low ka mbetur i mahnitur nga paraqitjet e Thomas Muller në fazën e parë të Botërorit.
Futbollisti i Bayern Munich, në tre ndeshjet e para ka shënuar 4 gola dhe është në garë për t’u shpallur sërish golashënuesi më i mirë i Kupës Botës.
Numri 1 i stolit të Pancerave shpreson që 24-vjeçari të shfaqë të njëjtën formë të mirë edhe në takimin e radhës me Algjerinë, që vlen një vend në çerekfinalet e turneut.
“Të gjithë kundërshtarët tanë e kanë shumë të vështirë ta ndalin atë, pasi Muller është një lojtar shumë inteligjent dhe di si të manovrojë në fushën e lojës.
Në tre ndeshjet e para të Botërorit Thomas ka shfaqur një formë të jashtëzakonshme. Ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne, shpresoj që të vazhdojë me këto ritme pasi edhe skuadra e ka më të lehtë t’i fitojë ndeshjet”.
Gjermania dhe Algjeria do të përballen këtë të hënë në Porto Alegre.
Edhe pse Die Manschaft është ndjeshëm favorite në këtë përballje, fakti që në dy sfidat e mëparshme afrikanët kanë arritur t’i mposhtin ata e bën disi më të vështirë këtë ndeshje për Gjermaninë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





