
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, duke analizuar ecurinë e deritanishmë të Botërorit, dha fillimisht një koment për dënimin me 9 ndeshje me Uruguain dhe 4 muaj nga të gjitha kompeticionet të Luis Suarez, i cili kafshoi Giorgio Chiellinin në shpatull, një veprim ky i përsëritur i sulmuesit të Liverpool-it.
“Sjellja e Suarez ishte e gabuar. Unë nuk mund të gjykoj vendimin e marrë nga një panel me 7 gjyqtarë, por sigurisht ata kanë marrë në konsideratë faktin që futbollisti për të njëjtin veprim ishte dënuar edhe më parë.
Nuk mund të them nëse është dënim i rëndë apo i lehtë. Komisioni që ka marrë këtë vendim është i pavarur”.
Teksa Kupa e Botës është futur në fazën më emocionuese, kreu i qeverisë së futbollit botëror u shpreh i lumtur me sjelljen e njerëzve në Brazil, që thuajse i kanë braktisur protestat dhe janë përqendruar te spektakli që po dhuron ky turne.
“Populli në Brazil tashmë është i përfshirë në lojë dhe jo në protestat në rrugë, pra janë më shumë tifozë futbolli sesa protestues.
Unë e kam shprehur edhe më parë mirënjohjen për popullin brazilian për mënyrën sesi e kanë pritur Kupën e Botës. Ndeshjet e fundit kanë qenë shumë të forta dhe ky është një futboll i jashtëzakonshëm”.
Prova e dhënë nga aplikimi i teknologjisë, sipas Blatter, sugjeron se duhet të përdoret edhe në kompeticionet e tjera. “Teknologjia e aplikuar në këtë Kupë Bote nevojitet edhe në kompeticionet e tjera apo në kampionate të ndryshme.
I vjen në ndihmë gjyqtarit por informon edhe publikun. Diçka ka ndryshuar, sepse tani nuk flitet më nëse topi e kishte kaluar apo jo vijën fatale.
Unë jam i sigurt se edhe ligat profesioniste do ta aplikojnë teknologjinë në futboll. Mishel Platini në një bisedë që patëm më siguroi se do ta shfrytëzojë teknologjinë në Euro 2016”.
Për sa u përket pritshmërive në fazat me eliminim direkt në Brazil 2014, Blatter u shpreh:
“Jam i sigurt se me të njëjtin shpirt që nisën turneun të gjitha skuadrat do të luajnë një futboll sulmues dhe pavarësisht renditjes së FIFA-s, çdo skuadër do të kërkojë të shënojë, pra nuk do të presë në gjysmëfushën e saj.
Të luash një futboll mbrojtës u pa që nuk ishte një zgjidhje e mirë, mjafton të kujtojmë sesi e pësoi Italia. Unë jam i sigurt se botërori do të na dhurojë më shumë spektakël.”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





