
Me titullin “Pastrohen 7 milionë euro me blerjen e News 24”, Partia Socialiste denoncoi më 4 prill 2011, atë që e cilësoi pastrim parash nga dy biznesmenë pa para dhe në vështirësi të madhe financiare, duke shigjetuar kështu dy blerësit, Artan Santo dhe Irfan Hysenbelliu. PS i cilësoi si "dy biznesmenët e mbuluar nga paratë e pista".
Nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Erjon Brace denoncoi atë që e quajti pastrimin e parave në operacionin që u zhvillua për blerjen e Grupit mediatik News 24.
Në komunikimin e tij me median deputeti socialist Brace tha se “Dy politikanë ndër më të korruptuarit në vend, dy biznesmenë pa para dhe në vështirësi të madhe financiare, janë pjesa e identifikuar e operacionit. 7 milionë euro vlera e këtij operacioni.”
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Erjon Brace:
“Qeveria po blen me para të pista dhe duke përdorur dy biznesmenë grupin mediatik të pavarur New24! Prej disa javësh dhe veçanërisht këto dy ditët e fundit, po konsumohet përpjekja më e madhe për blerjen nga pushteti politik të grupit mediatik News4, i pavarur, profesional dhe nder më të rëndësishmit në vend.
Me para të pista! Dy politikanë ndër më të korruptuarit në vend, dy biznesmenë pa para dhe në vështirësi të madhe financiare, janë pjesa e identifikuar e operacionit. 7 milionë euro vlera e këtij operacioni. Pronari i grupit Mezzogiorno nga Katania-Sicili dhe njëherësh një herësh një prej biznesmenëve të rëndësishëm në jug të Italisë, kërkon para të pastra dhe të legalizuara, ka refuzuar para cash.
Politikanët e korruptuar i kanë, para e madhe po mblidhet këto ditë fushatë nga biznese të detyruara dhunshëm dhe po gjejnë bankën që do t’i pastrojë kështu:
Paratë e pista depozitohen në bankë për të mbuluar financiarisht operacionin; banka jep kredi 7 milionë euro për dy biznesmenët e mbuluar nga paratë e pista; për këtë ata kanë ofruar si kolateral aksionet e aksionerëve të tjerë në një kompani pijesh në vështirësi financiare; blerës fundorë nënshkruajnë po ata! Një pjesë e aksionerëve nuk dinë gjë fare për aksionet peng! Ndërkohë në Itali po çuditet çdokush që merr vesh për këtë operacion: biznesmenë që paguajnë 7 milionë euro për një kompani mediatike-që nuk është biznes, të vetëdijshëm që nuk do t’i marrin më nga kjo kompani mediatike këto para!
Nuk po e blejnë grupin mediatik për ta zhvilluar e mbajtur me “paratë e tyre”! Thjesht po e blejnë për ta vdekur, dhe kjo vdekje është e përsëritur dhe në rastin e një tv kombëtar sot i vdekur! Ky është rasti më flagrant se si një media e pavarur dhe profesionale- tv News24, Radio Rash, Balkanweb, Gazeta Shqiptare blihet nga qeveria për t’i mbyllur gojën në prag të zgjedhjeve jetike për Shqipërinë. Ne po e mbikëqyrim këtë operacion nisur vetëm nga një interes: liria e medias në këtë vend!
Ne po e mbikëqyrim këtë operacion për t’i treguar kujtdo se si paratë e pista, të korrupsionit politik-evazionit fiskal etj., riciklohen, pastrohen dhe investojnë tani për të cënuar rëndë dhe eliminuar një prej parimeve themelore që bën demokracinë të funksionojë: lirinë e medias! Ne po e mbikëqyrim këtë operacion për të vërtetuar se si paratë e pista të korrupsionit kanë depërtuar deri në nivelin më të lartë të sistemit financiar, duke përfshirë dhe bankat”.
Të mirinformuar për këtë i kërkojmë: Bankës së Shqipërisë të mbikëqyrë këtë operacion dhe të informojë publikun nisur nga detyrimet ligjore të saj; Agjencisë së parandalimit të pastrimit të parave të mbikëqyrë këtë operacion dhe të informojë publikun nisur nga detyrimet ligjore të saj; Të dyja institucionet kanë detyrimin ligjor të ndalin këtë riciklim dhe pastrim të parave të pista!”, – përfundonte deklarata e z.Braçe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





