
Basha: Decentralizim, shërbim ndaj qytetarëve, përpara hartës territoriale
Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizuan sot seancën e dytë të konferencës, “Decentralizimi dhe reforma territoriale”, në një takim të hapur ku morën pjesë dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe përfaqësues të mazhorancës, Bashkim Fino dhe Petrit Vasili.
“Si kryhet një reformë administrative – territoriale”, ishte tema që u trajtua sot duke u vënë theksi tek zgjerimi i autonomisë vendore, dhe tek një reformë e qëndrueshme territoriale.
Në takim u propozuan projektet e katër organizatave të pavarura. Konkretisht, “Autonomia Vendore dhe pesë opsione për organizimin territorial” , “Metodologjia e zonave funksionale për zhvillimin vendor”, “Riorganizimi administrativ – territorial fillon nga decentralizimi”, “Decentralizimi dhe Rajonalizimi”.
Mazhoranca dhe opozita sërish nuk e kanë gjetur gjuhën e konsensusit as në tryezën e organizuar nga Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë. Për kreun e opozitës Lulzim Basha ultimatumet nuk janë ofrim i konsensusit, pasi sipas tij kjo reformë duhet të jetë e mirëkonsultuar me të gjithë aktorët me qëllim qëndrueshmërinë e saj në kohë, pasi decentralizimi dhe autonomia vendore janë determinante për një reformë të qëndrueshme në kohë.
Ndaj ai paralajmëroi se brenda datës 2 korrik opozita do të prezantojë dhe një variant të sajin bazuar në katër projektet e prezantuara gjatë takimit me shoqatën e të zgjedhurve vendorë.
Konsensusin e ofruar në takim nga bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Bashkim Fino e cilësoi të njëjtë me propozimin e bërë pak kohë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Konkluzionet e seancës së dytë ishin se nevojitet reforma e decentralizimit, për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Në konferencë, foli dhe kryetari i Partisë Demokratike, i cili u ndal te rëndësia e decentralizimit. “Para se të mbërrijmë tek harta, duhet të bëjmë decentralizimin e vërtetë për të përballuar nevojat dhe sfidat e vërteta të Shqipërisë së vitit 2014”, tha Basha.
Kryetari i opozitës duke theksuar se jemi në politikë për të shërbyer, jo për të udhëhequr, tha se: “Duhet një reformë e cila përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve. Çdo shërbim. Nga infrastruktura, tek marrja e lejeve apo certifikatave, te kanalizimet, te marrja e lejes për të rregulluar çatinë, për të hapur një dritare apo për të vënë sahatin e ujit.
Që reforma territoriale të jetë e qëndrueshme ajo ka nevojë për konsensus, dhe jemi gati, – tha Basha, – që bazuar në traditën dhe vlerat më të mira, të ulemi të bisedojmë me qeverinë dhe të gjejmë konsensusin pa humbur kohë. /a.c/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





