
Konkretizohet projekti i parë fitues i konkursit “Ide të gjelbra 2014”
Projekti i parë fitues i konkursit “Ide të gjelbra 2014”, është konkretizuar në Kepin e Rodonit. Falë mbështetjes së AMC, “Eko Kamp Atlantid Beach” synon të krijojë shërbime turistike në plazhin e quajtur Atlantid, i cili gjendet në bregdetin e komunës Ishëm.
Eko-Kampi siguron akomodim në çadra, të cilat janë punime artizanale me materiale të riciklueshme. Si një kamp tërësisht ekologjik, aty ofrohet vetëm ushqim 100% bio, i shërbyer në një platformë të ndërtuar me materiale druri të riciklueshme.
Si një nga promovuesit kryesorë të mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të vullnetarizmit, AMC vjen në mbështetje të “Eko Kamp Atlantid Beach”, projekt i cili ka zgjedhur pikërisht këtë vendndodhje për shkak të vlerave arkeologjike dhe të biodiversitetit që ofron zona.
Një ndër pikat e forta të këtij projekti është që promovon dhe nxit pushimet aktive në natyrë. Frekuentuesit mund të gjejnë aty guida lokale që do të udhëheqin ecjet në kodrat e zonës, instruktorë për joga, pajisje për zhytje në det dhe varka të tipit kajak për të lundruar.
“Eko Kamp Atlantid Beach” do të funksionojë si biznes social, suksesi i të cilit do të matet jo vetëm nga të ardhurat financiare, por dhe nga të mirat sociale dhe ekologjike që do të sjellë.
AMC, përmes mbështetjes së këtij projekti, synon të ndihmojë në zhvillimin e turizmit të orientuar drejt ruajtjes së mjedisit. Gjithashtu, gjatë sezonit turistik do të organizohen aksione masive pastrimi me bazë vullnetare, si në plazh, ashtu edhe në ambientet rrethuese.
Në muajin mars, AMC organizoi konkursin kombëtar “Ide të gjelbra 2014”. Qëllimi i konkursit ishte që përmes një procesi konkurrues, organizatat e shoqërisë civile, ndërmarrjet sociale apo biznesi i vogël në vend të përfshihet në identifikimin, përzgjedhjen dhe mbështetjen e ideve të gjelbra novatore që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
AMC është angazhuar prej vitesh në projekte për përmirësimin e mjedisit, duke përfshirë gjelbërimin e mjaft sipërfaqeve të gjelbra, krijimin e hapësirave çlodhëse dhe pastrimin e bregdetit apo hapësirave urbane. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





