Transmetuar më 27-06-2014, 10:02

Ata janë dy personazhe të njohur dhe të dashur të ekraneve shqiptare. Ermal Mamaqi, humoristi dhe këngëtari që ka rrëmbyer zemrën e prezantueses Amarda Toska, me të cilën ka edhe një fëmijë, është “konfliktuar” dhe ka shkëmbyer batuta me prezantuesin dhe opinionistin Olti Curri gjatë mbrëmjes së djeshme.

Mamaqi ka bërë publik klipin e këngës të realizuar në bashkëpunim me Bes Kallakun, të cilën e ka quajtur “Mos pi mall, bëj palestër”. Pasi e ka dëgjuar dhe parë me vëmendje, Olti Curri shkruan në faqen e tij në Facebook: “"Mos pi mall, bëj palestër" një këngë që pasi e dëgjon të shtyn më shumë të pish mall sesa të regjistrohesh në palestër…”

Si kundërpërgjgje, Mamaqi shkruan: “Lajm i keq nga Olti Curri. Olti pasi dëgjoi këngën tonë të fundit, la palestrën dhe filloi mallin. I lutem të gjithë shpërndarësve mos i jepni mall Olti Currit!!!”.

Kaq ka mjaftuar për të nisur batutat dhe ironitë në distancë mes dy personazheve, të cilët kanë komentuar nëpër faqet e tyre, kundrejt njëri-tjetrit.

Olti Curri shkruan: “Ndërpresim edicionin e komenteve për t’ju komunikuar se Ermal Mamaqi dezinformon fansat e faqes së tij. Dua të sqaroj Ermalin dhe të falënderoj Vera Grabockën ( të jem brenda) që unë nuk i jam afruar kurrë në jetë ndonjë palestre, (përveç një rasti kur u inaugurua një palestër dhe kishte banket), këtë fizik të gdhendur e kam nga nëna natyrë…që kur linda unë po skuqte petulla”, ironizon durrsaku Curri.

Si kundërpërgjigje Mamaqi shkruan: “Përgënjeshtrohet lajmi se Olti kishte lënë palestrën!!! Ai nuk ka filluar asnjëherë palestër. Prandaj unë dhe Dalina Buzi do hapim së shpejti klubin "fut Oltin në palestër". Kontribuoni duke u anëtarësuar në këtë klub. Anëtarësimi kushton 30.000euro! Këto fonde do përdoren për mirëmbajtjen e Oltit. Olti faleminderit që ekziston!”, përfundon ironia e Ermal Mamaqit, që vijon më tej me publikimin e fotove humoristike nga të dy djemtë. /a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit