Transmetuar më 26-06-2014, 20:57

Gjermania nuk e njeh kompromisin. Pancerat nuk zhgënjyen ashtu si në 1982 me Austrinë, duke mos toleruar përballë SHBA, të cilën e mundën 1-0 me një gol të të zakonshmit Muller, i cili ishte rrezja e dritës gjermane mes furtunës që përfshiu Recifen. Një sukses që i garantoi tre herë kampionëve të Botës vendin e parë në grup.

Ndërsa për amerikanët kjo ka qenë ndoshta humbja më e bukur e Botërorit, pasi disfata nuk ja prishi ëndrrat për një vend në 1/8, me ekipin e Klinsman që u klasifikua si i dytë.

Ndeshja në Recife nisi me një ritëm jo shumë të lartë, aq sa u nevojit minuta e 21-të për të parë të parin rast të rrezikshëm me Zusin që provoi goditjen me hark, por nuk gjeti dot trekëndëshin e portës.

Në të 28-n, protagonist u bë dhe kryesori Rasulov, i cili i zuri rrugën Jones. Faull i pastër i gjyqtarit, por jo ndëshkim, pasi kartonin e verdhë uzbeku preferoi ta mbante në xhepin e tij.

Me një mbrojtës më shumë, Gjermania u ndje e sigurtë dhe pa më shumë drejt sulmit aq sa në të 35-n, Ozil “rrëshkiti” brenda në zonë, por gjuajtja e tij gjeti duart e Howard.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën gjermanët e rritën menjëherë ritmin dhe në të 47-n, një harkim i Boateng gjeti kokën e Ozil, por devijimi këtij të fundit nuk e gjeti kuadratin.

Në të 52-n, Klose humbi takimin me historinë ku nga pak metra nuk arriti të shënonte golin e 16-të të tij në një Botëror.

Sfida u zhbllokua më në fund në minutën e 55-ë me Howard, që pasi neutralizoi goditjen e parë u mposht nga një goditje perfekte e Muller, që i dha avantazhin Gjermanisë.

Në avantazh, Gjermania e uli ndjeshëm ritmin aq sa goditja e radhës erdhi vetëm në të 80-të, me Howedes, përpjekja e të cilit ishte thjesht “përkëdhelje” për duart e Howard.

Ndeshja u mbyll me suksesin e gjermanëve, që me fitoren hodhën poshtë zërat për pakt me amerikanët për barazim, duke mos njollosur kështu dhe vendin e tyre të parë në Grupin G.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit