
Cristiano Ronaldo dha shkëndijën e parë të ndeshjes në minutën e pestë, më një goditje kros që papritur preku tranversën, ndërsa 5 minuta më pas portugezi shkarkoi një të djathtë të fuqishme, por Dauda nuk u kap në befasi.
8 minuta më pas, ishte sërish Topi i Artë që devijoi krosimin e Joao Pereiras, por pa mundur të zhbllokonte takimin, ndërsa në anën tjetër Beto ndali Asamoah Gyan.
Bashkëpunëtor në zhbllokimin e rezultatit u bë në njëfarë mënyre edhe arbitri kryesor që bllokoi një aksion të Ganës, çka shkaktoi edhe kundërsulmin e Portugalisë që kaloi në avantazh.
Gana e rriti ritmin e lojës, por pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të luzitanëve, që arritën të përfitojnë edhe nga cilësitë e pakta teknike të afrikanëve në zonën e rreptësisë.
Por ndeshja e Brasilias ndryshoi fytyrë në fraksionin e dytë pasi afrikanët shfrytëzuan freskinë fizike duke arritur barazimin në minutën e 58-të me të zakonshmin Asamoah Gyan.
Dy minuta më vonë, me një aksion pothuajse identik, Waris bën të pabesueshmen duke e nxjerrë topin jashtë, çka është edhe tregues i limiteve teknike të yjeve të Afrikës.
Minuta të tëra në kërkim të Cristiano Ronaldos gjatë këtij fraksioni ku luzitani u fsheh pas hijes së tij, ndërsa Bruno Alves vuajti oksigjenin e mjaftueshëm në mushkëritë e Gyan.
Me kualifikimin në dorë, Gana nuk rreshti së kërkuari golin, por sulmet kaotike të afrikanëve nuk u konkretizuan në një gol që do të mjaftonte për t’i kualifikuar në 1/8-at.
Kur nuk shënon e pëson, dhe Cristiano Ronaldo përfitoi nga një gabim amator i portierit Dauda për të shënuar golin e parë personal në këtë botëror.
Një fitore që nuk vlen për luzitanët, sepse ajo që buzëqesh është skuadra e Klinsmann. Portugalia largohet nga botërori me një fitore nderi, ndërsa Cristiano Ronaldo nuk do të ketë mundësi ta shëtisë Topin e Artë në qytetet pritëse deri në finalen e madhe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





