
Tiranë, 26 qershor 2014, NOA.al- Pas lajmit të vrasjes së biznesmenit Artan Santo, kanë reaguar politikanët e Shqipërisë, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe mesazhet e ngushëllimit të tyre.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, në postimet e tij në rrjetet sociale Facebook e Twitter ka shkruar: “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit. Tan Santo, 100mijë euro kush ndihmon policinë”.
Basha: Vdekja e Santos, dhimbje e tronditje
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka shprehur dhimbje dhe tronditje përtej fjalëve për vrasjen mizore të Tan Santos. “Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë! Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e tij të shumtë”, është shprehur Basha.
Nishani: Prokuroria të ndëshkojë dorën e krimit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka cilësuar si një humbje të pamasë për familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, por dhe gjithë shoqërinë tonë.
“Kjo dhimbje e madhe e shkaktuar nga dora e zezë e krimit, nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj. Ngushëlloj nga zemra dhe u qëndroj pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të Artanit”, thotë Presidenti Nishani.
Meta: Vrasja barbare, ndëshkim autorëve
Kreu i Kuvendit dhe kryetari i LSI, , Ilir Meta i është bashkuar personaliteteve të politikës që shprehën hidhërimin e tyre për vrasjen e biznesmenit, dhe bankierit të njohur Artan Santo. “Dënojmë vrasjen barbare të Artan Santos, ishte një personalitet i njohur i sistemit bankar. Solidarizohem me familjarët dhe kolegët. Autorët të ndëshkohen”, thotë Meta.
Berisha: Vrasja e Santos, dëshmi e një rendi që nuk ekziston
Ish kreu i shteti, Sali Berisha, ka shkruar në Facebook: “Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Santo, bashkëpunëtorëve, miqve të Artanit dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”.
Cani: Vrasja e Santos, një lajm tronditës
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh se ditën jemi mësuar ta fillojmë me lajme të mira, por kjo e sotmja i kalon kufijtë e një keqardhje. “Një lajm tronditës. Një akt kriminal i tipit mafioz. Artan Santo u largua nga ne në mënyrë të pamerituar. Miku dhe shoku kombinatas, shumë vite së bashku. Kujtimet e mira nuk mund t’i fshijë ky akt mafioz. Ndjehem keq. Humba një shok, një mik. Ngushëllime familjes!”, shkruan ministri Cani.
Bamir Topi: Dhimbje e dëshpërim për humbjen e një miku
Ish-presidenti Bamir Topi u ka bërë apel autoriteteve që të bëjnë gjithçka për zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të vrasjes mafioze të biznesmenit Artan Santo. “Dhimbje e dëshpërim për humbjen e një miku. Santo personalitet i botës financiare. Vrasja e Santos, sinjal i fortë i krimit që nuk njeh stepje”, deklaron ish-presidenti Topi./a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





