Transmetuar më 26-06-2014, 14:38

E ka thënë dhe vazhdon ta përsërisë Roy Hodgson. Nuk ka ndërmend të dorëhiqet, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm të tifozëve e kritikave të pamëshirshme të mediave, që shoqëruan eliminimin zhgënjyes të Anglisë në Botëror.

Madje në daljen e fundit publike u provokua, kur u pyet se Prandelli te Italia dha dorëheqjen, dhe a do ta bënte dhe ai diçka të tillë?

“Ju kam thënë edhe më parë se nuk tërhiqem dhe nuk kam çfarë të shtoj më tepër. Federata dëshiron dhe më ka kërkuar që unë të vazhdoj punën. Jam shumë i lumtur që ata duan qëndrimin tim.

Kam një grup mjaft interesant lojtarësh dhe ndjesia ime është se asnjë prej tyre nuk e dëshiron dorëheqjen time.

Në këtë situatë, preferoj të mos krahasohem me njerëz të tjerë. E theksoj edhe njëherë se arsyeja se përse zgjedh të qëndroj, është se unë nuk jam frikacak”.

Ndryshe nga sa pritet, Hodgson theksoi se dëshira e tij është që Gerrard dhe Lampard të vazhdojnë karrierën tek Tre Luanët, për t’i shërbyer kombëtares për eliminatoret e Europianit.

“Do të ishte shumë mirë nëse asnjë prej tyre nuk tërhiqet. Ndoshta në një moment tjetër do të kem mundësinë të bisedoj me Gerrard dhe Lampard, për t’i pyetur nëse duan të vazhdojnë të luajnë për Anglinë. Kështu bëhen gjërat”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit