


E ardhmja e Spanjës do të jetë me Vicente del Bosque në stol. Trajneri që e drejtoi La Rojan drejt suksesit në Botërorin 2010 dhe më pas në Europianin 2012, do të qëndrojë për të përmbushur kontratën deri në vitin 2016, dhe ndërkohë do të jetë arkitekti i rigjenerimit të një skuadre kampionësh.
Listën me emrat e rinj do ta ketë gati për eliminatoret e Europianit të ardhshëm dhe aty nuk bëjnë pjesë të tërhequrit Xavi Hernandez dhe Xabi Alonso, por gjithashtu as David Villa.
Tek Federata Spanjolle janë të bindur se nuk ka kandidat më të mirë se Del Bosque për këtë ndryshim rrënjësor në La Seleccion, dhe vendimi për rindërtimin e Spanjës së re pritet të bëhet publik menjëherë pas përfundimit të Botërorit në Brazil.
Bashkë me 63-vjeçarin, në drejtimin e La Rojas do të qëndrojë i gjithë stafi teknik që e ka shoqëruar gjatë këtyre viteve.
Rigjenerimi i Spanjës është më shumë se një detyrë kombëtare për Del Bosque, duhet të vendosë shumë shpejt në vend, nderin që kampionët e lanë bashkë me titullin në Brazil, ku u eliminuan turpshëm pas vetëm 2 takimeve të para.
Ndryshimet e para në rreshtimin spanjoll do të shikohen në listën për miqësoren e 4 Shtatorit në Paris me Francën, si dhe 4 ditë më vonë kur të luhet sfida e parë eliminatore për Europianin 2016 me Maqedoninë në Valencia.
Lojtarë si Saúl, Jesé, Deulofeu, Alberto Moreno, Bartra, Muniain, Isco, De Gea dhe Thiago do të kenë shansin e tyre, bashkë me Koke, i cili ishte grumbulluar për Kupën e Botës.
Përsa i përket fatit të Casillas, vetë portieri nuk i ka shpalosur mendimet që ka për kombëtaren, ndërkohë që në federatë e shikojnë si një lojtar që mund të japë ende shumë. Në pikëpyetje mbeten gjithashtu edhe Pique e Fabregas, jo për lojën apo për rendimentin, por për sjelljen që demonstruan në Brazil.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Villa, i cili deklaroi publikisht lamtumirën, por jo formalisht tek trajneri.
Pjesa tjetër e kampionëve si Ramos, Silva, Mata e Iniesta, vendin në përfaqësuese e kanë të sigurt, por me një kusht të vetëm, do të ndiqen vazhdimisht nga Del Bosque për rendimentin në klubet respektive.
Eshtë kjo Spanja e re që po lind, ndërthurje e eksperiencës së veteranëve me talentin e të rinjve, që po shpërthejnë nga sezoni në sezon.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





