
Femrat, në “sulm” për të ndryshuar imazhin e Policisë Shqiptare
Kryetarja e Forumit të Gruas në Policinë e Shtetit, Enkeleda Toska, tregon misionin e Forumit si dhe projektet e tij. Në një intervistë për IBNA, Toska shpjegon për lexuesit pse duhet të ndryshojë imazhi i policisë, si një institucion në mbrojtje të rendit dhe pronës së të gjithëve. Kurse vlerëson se pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e grave dhe vajzave në shërbimin policor, ka një impakt pozitiv në ofrimin e sigurisë për të gjithë.
Intervistoi: Klodiana Kotorri
Çfarë përfaqëson Forumi i Gruas në Policinë e Shtetit?
Forumi i Gruas në Policinë e Shtetit, u krijua nën kujdesin e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Shqipëri dhe ka filluar aktivitetin e tij në vitin 2011 me anëtarësi nga gratë dhe vajzat me gradë në shërbimin policor shqiptar. Është një rrjet i shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe në Bordin Drejtues të tij ka një përfaqësuese nga gjithë Drejtoritë e Policisë në Qarqe. Misioni i tij është përfaqësimi, përmirësimi e forcimi i pozitës së gruas në shërbimin policor shqiptar.
Pse lindi Forumi?
Lindi si një nevojë e kohës. Që prej vitit 1993, kur për herë të parë në historinë e Policisë Shqiptare Ministri i Brendshëm i asaj kohe nënshkroi Urdhrin për pranimin edhe të vajzave në Akademinë e Rendit Publik, vit pas viti iu bashkuan shërbimit policor shqiptar një numër i konsiderueshëm punonjësesh policie vajza dhe gra. Këto punonjëse tashmë kishin nevojë të ndjeheshin të përfaqësuara e këtë mund ta bënin vetëm nëpërmjet një rrjeti të tyre i cili të bën të të mundur që zëri i tyre të dëgjohej.
Si i ndihmon Forumi gratë në polici?
Forumi i Gruas nuk i ndihmon gratë, por inkurajon dhe mbështet zhvillimin e tyre si oficere policie efektive, përgatitjet e tyre për rolet e lidershipit, i mbështet ato ndërsa lëvizin në rolet e komandimit, i përfaqëson ato në Sindikatën e Policisë dhe mbron të drejtat e tyre në atë, që dikur ka qenë “bota e burrave” në shërbimin policor shqiptar.
Duke qenë të organizuara, duke folur me njëra-tjetrën, duke promovuar “modelin e rolit”, pra gruan e suksesshme në polici, ne japim kontributin tonë që Policia e Shtetit të përfaqësohet në mënyrë më të plotë në komunitetin të cilit i shërben.
Çfarë spikat në ato që ka bërë ky forum?
Që në krye të herës, Forumi ka bashkëpunuar mjaft mirë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke dhënë kontributin e tij në planin kombëtar e ndërkombëtar.
Forumi ka lobuar e advokuar për çështjet e barazisë gjinore në shërbimin tonë nëpërmjet ndërgjegjësimit të nivelit të lartë drejtues; për një përfaqësim më të mirë në grupet e punës të angazhuara në reformën legjislative e strukturore; mbrojtjen e interesave të grave në projekt-ligjin për policinë e shtetit, hartimin e një politike për një mjedis të sigurtë në vendin e punës/mbrojtjen nga ngacmimi, dhe ruajtjen e standardeve të arritura deri tani me qëllim çuarjen e tyre më përpara.
Së fundi ka lindur. Akademia e Policisë për fëmijë “Siguria fillon nga unë. Pak më shumë të dhëna mbi këtë risi?
Kjo Akademi është financuar nga Programi “Mbështetja Suedeze për ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, me qëllim, policimin në komunitet. Në fakti synon ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme midis policisë dhe komunitetit në përmjet rritjes së sigurisë së fëmijëve. Projekti u konceptua mbi bazën e tre komponentëve kryesorë: trajnim teorik në klasë, aktivitete “outdoors” që konsistojnë në punë krijuese të fëmijëve dhe lojëra sportive dhe vizitë studimore në ambiente pune të policisë, përfshirë dhe forcat speciale. Kemi synuar ndryshimin e perceptimit të fëmijëve për punonjësin e policisë, i cili duhet të jetë që në vogëli, miku i tyre më i mirë dhe jo të jetë një arsye për frikë. Impakti presim të jetë edhe në fushën e rekrutimit, duke nxitur pjesëmarrje më të madhe në polici dhe në veçanti të vajzave.
Nga e morët ngacmimin, shtytjen, për nisma të tilla?
Ne jemi punonjëse policie dhe kemi detyrë të parandalojmë krimin dhe rrisim sigurinë e komunitetit. Por jemi edhe nëna e motra dhe në familjet tona rreziku është i njëjtë si në gjithë familjet e tjera. Atëherë menduam si mund të kontribuojmë ne në parandalimin e krimit dhe rritjen e besimit në komunitet e veçanërisht tek fëmijët e të rinjtë? Mënyra më e mirë për ta bërë atë është edukimi i brezit të ri. Kështu konceptuam fillimisht Akademia e Policisë për Fëmijë me moton: Siguria fillon nga unë. Ku fokus-grupi në këtë projekt janë fëmijët e moshës 12-14 vjeç. Unë mendoj se edukimi i të rinjve të kësaj grup moshe, është vetëm fillimi i një cikli edukimi i cili duhet të përfshijë të gjitha grupmoshat e të rinjve, por jo vetëm.
Si duhet parë figura e policit nga qytetarët, duke nisur nga moshat e reja?
Ne jemi fokusuar tek edukimi i fëmijëve dhe të rinjve në funksion të parandalimit të përfshirjes së tyre në aktivitete kriminale. Është e rëndësishme rritja e vetëdijes së tyre se si duhet të reagojnë në situata të mundshme inkriminimi. E pra, përpiqemi të kontribuojmë që të edukojmë një brez që e sheh punonjësin e policisё, jo mё si figurё me tё cilёn e kemi trembur kur kanё qenё tё vegjёl, por si njё figurё qё e mbron atё nga dukuri tё kёqija tё shoqёrisё dhe në funksion të sigurisë së të gjithëve.
Lexoni versionin anglisht
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





