
Bulqizë, 25 qershor 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi nga Bulqiza se ulja e moshës së daljes në pension për minatorët nga 1 janari 2015 dhe hapja e një kursi profesional për minatorët e rinj në këtë qytet, tashmë janë realitet.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve për zhvillimin e thellësisë, hapjen e pusit numër 9 në Minierën e Kromit në Bulqizë, Veliaj tha se qeveria e mëparshme nuk denjonte as t’i dëgjonte problemet e minatorëve.
Shuma që do të investohet në këtë projekt është 20 milionë dollarë dhe do të bëjë të mundur shfrytëzimin e 2.126.800 ton rezerva gjeologjike mineral kromi. Nisja e punimeve për realizimin e projektit të pusit numër 9 shënon edhe një fillim të ri për gjithë zonën e Bulqizës.
“Ekziston pra, një formulë ku nuk fiton vetëm biznesi, shteti apo vetëm punëtorët, por ka mundësi të fitojnë të tre: Edhe biznesi të bëjë një punë të pastër e të jetë i suksesshëm; edhe punëtorët të paguhen me rroga dinjitoze, por edhe shteti të marrë atë që i takon”, tha Veliaj në fjalën e tij.
Ministri falenderoi edhe sindikatat për presionin e shëndetshëm që ushtrojnë ndaj biznesit dhe qeverisë në të mirë të minatorëve, kur bëhet fjalë për sigurinë në punë apo çështjet e trajtimit të pensionit të tyre.
“Kjo është meritë e sindikatave që i bëjnë presion çdo qeverie, derisa më në fund, erdhi një qeveri e cila i dëgjoi për uljen e moshës së minatorëve. Jam shumë i lumtur që këtë premtim e bëmë realitet. Nga 1 janari 2015, do të kemi minatorë që dalin në pension në moshën 55 vjeç dhe politikanë që dalin në pension në moshën 60 vjeç, sepse gjykojmë se është më e vështirë të jesh minator se sa politikan”, deklaroi Veliaj.
Ai u shpreh entuziast edhe për hapjen e kursit të parë të trajnimit për minatorët e rinj në qytetin e Bulqizës./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





