Transmetuar më 25-06-2014, 18:52

Gjithmonë ai, në të mirë e në të keq, herë Agamemnon me kafshime pas shpine, e herë Promete, duke u sakrifikuar për të mirën kolektive.

Luis Suarez, është një personazh kontrovers, negativ për kundërshtar, por një idhull për tifozët e skuadrave ku luan, por fati i Uruguajit çuditërisht në dy botërorët e fundit është varur gjithmonë prej tij.

Në 2010, realizoi një dygolësh fantastik ndaj Koresë së Jugut në 1/8 duke kualifikuar të tijtë në fund, ndërsa në çerekfinalen me Ganën sakrifikoi vetveten për t’i dhënë kalimin në gjysmëfinale të tijve.

Në minutën e 120-të të ndeshjes, Suarez u bë portier duke ndalur topin me dorë mbi vijën fatale. Fati e puthi kur Gyan Asamoah dërgoi goditjen në traversë, dhe Uruguaji fitoi më pas nga pika e bardhë e penalltive.

Në këtë botëror, pa Suarezin, Uruguaji ishte pothuajse i shpërfytyruar. “El Pistolero” që vetëm një muaj më parë ju nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale u rikthye në vetëm katër javë duke shënuar dy herë ndaj Anglisë e duke i dhënë një mundësi kombëtares “Celeste”.

Për më tepër festa me një prej anëtarëve të stafit tregoi dhe anën njerëzore të Suarezit, që dy golat ja dedikoi sakrificës së mjekut, i cili pavarësisht se i sëmurë me kancer, pranoi të stërviste në veçanti sulmuesin për ta përgatitur për në Botëror.

Në ndeshjen me Italinë, Suarez u bë sërish protagonist duke qenë ndoshta i vetmi lojtar i rrezikshëm për të kaltërit, jo vetëm për portën por dhe për supet e tyre.

Kafshimi ndaj Chiellinit, tregoi dhe njëherë anën e tij më të keqe, por që pavarësisht se e pisët, ndihmoi uruguajanët për të nervozuar më shumë të kaltërit, aq sa dy minuta më pas, Godin goditi me kokë duke çuar në shtëpi Italinë.

Veprimi Suarezit me siguri i ka dhënë fund Botërorit të tij, pasi Fifa do të shqyrtojë provat televizive, por megjithatë nuk do ta “zbehin” dashurinë e popullit uruguajan ndaj futbollistit.

Për mirë apo për keq, fati i Uruguajit duket se lidhet ngushtë me atë të Suarezit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit