
Nuk mund të ketë kënaqësi në futboll për Mick Jagger. Lideri i grupit legjendar Rolling Stones, është shndërruar në simbol të tersit kur bëhet fjalë për Kupat e Botës.
4 vjet më parë, Mick Jagger u kthye në një nga njerëzit më të urryer për tifozët e tani sërish duket se nuk mund t’i shmanget inatit që do të bjerë mbi të, sepse sa herë që ai bën tifo për një kombëtare, eliminimi i kësaj skuadre është i pashmangshëm.
Disa kanë filluar ta quajnë profet, ndërsa në Brazil e kanë pagëzuar “Pe Frio”, që në shqip do të thotë “këmba e ftohtë”, pak a shumë antonimi i këmbës së mbarë.
Në Botërorin e Afrikës së Jugut, këngëtari anglez mori në qafë tre skuadra. Bëri tifo për Anglinë fillimisht, pastaj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund e mbylli me Brazilin, i cili u eliminua 2-1 në çerekfinale nga Holanda.
Tashmë tifozët brazilianë, sa herë që u jepet rasti në stadiume i drejtohen me slogane që të mbështesë Holandën dhe në mënyrë absolute jo Selecaon, sepse e dinë që Mick Jagger nuk gabon në eliminimin e skuadrave.
Provën më të fundit lideri 70-vjeçar i Rolling Stones e ka të freskët fare. Gjatë një koncerti të shtunën në Romë, këngëtari lëshoi mallkimin e radhës, kur tha se Italia jo vetëm do të kualifikohej, por madje do të largohej si triumfuese nga ky Botëror.
Krejt e kundërta ndodhi, sepse të kaltrit ikën të turpëruar e të kafshuar nga Brazili, e tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse të shikojmë për cilën skuadër do të bëjë tifo në vazhdim Mick Jagger.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





