Transmetuar më 26-06-2014, 09:23

Shkodër, 26 qershor 2014, NOA.al – Një burrë është vrarë me armë zjarri në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjave”, në “zonën e livadheve”.

Burime zyrtare nga policia lokale i thanë agjencisë Noa.al, mësohet se viktima është 50 vjeçari Ibrahim Mani, i cili është vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në ora 18:00.

Dyshohet se një person është afruar në derën e banesës së tij, dhe e ka qëlluar me armë zjarri, ndërsa mendohet se persona të tjerë e kanë ndihmuar autorin të largohet.

Policia tha se autori i krimit i ndihmuar edhe nga një tjetër person dyshohet se është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë. Hetimi nxjerr se autori ka përdorur silenciator pasi familjarët që kanë qenë brenda banesës nuk kanë dëgjuar krisma.

Viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme pavarësisht ndihmës së familjarëve dhe përpjekjeve për ta mbajtur në jetë.

Efektivët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe për zbulimin e shkaqeve të vrasjes.

Efektivët blu shoqëruan në komisariat tre persona të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Sipas grupit hetimor, pista kryesore e kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohet të jetë dukuria e gjakmarrjes.  Ata pohuan se motivi kryesor i vrasjes dyshohet gjakmarrja për shkak të një krimi të ndodhur në vitin 1993 ku dyshohet se ka qenë e përfshirë familja Mani.

Ibrahim Mani u shpërngul disa vite më parë bashkë me familjen nga fshati Barbullush i komunës Bushat në qytetin e Shkodrës.

Nga ana e policisë si përgjegjës për ngjarjen është shpallur në kërkim Tarzan Prroni, i cili dyshohet të jetë autori i vrasjes.

Mësohet se në vitin 1993, babai i viktimës Shemsi Mani, ka vrarë babanë e të dyshuarit Tarzan Prroni pas një konflikti mes tyre.

Për këtë krim Shemsi Mani bëri dhjetë vite burg dhe më tej u la i lirë, ndërsa ndërroi jetë para dy vitesh për shkaqe natyrale.

Vrasja e para 20 viteve mes prindërve të autorit të viktimës dhe autorit, ka ndodhur pas një konflikti për bagëtitë.

Pista kryesore e unoformave blu është ajo e hakmarrjes së Tarzan Prronit për vdekjen e të atit./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit