


Për herë të dytë në pak ditë, ish kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar një tjetër bashkëbisedim me gazetarët në selinë e partisë që hoqi dorë zyrtarisht një vit më parë. Dhe sërish, ka deklaruar se konferenca zhvillohej atje, pasi lidhjet televizive ishin të pamundura në zyrën e tij në katin e 14-të të godinës së biznesit pranë ambasadës italiane. Në bashkëbisedimin me gazetarët, z.Berisha u ndal në dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke e cilësuar si realizim të qëllimit të çdo shqiptari. Ai tha se “Teza e Edi Ramës, për forcat e djathta se penguan statusin, ishte thjeshtë një gjethe fiku që ai deshi t’i vendoste vetes së tij”. Kurse vlerësoi se koalicioni po funksionon duke mbajtur nën presion kreun e LSI, Ilir Meta: “A e dini ju të dashur qytetarë dhe qytetare sesi funksionon “aleanca”? Pas çdo udhëtimi, Edi Rama i thotë bashkëkryetarit tjetër se më kërkuan arrestimin tënd. por unë Lilo nuk do të të arrestoj. A e dini ju se Edi Rama u thotë bashkëbiseduesve perëndimor se unë do të merrja armët kimike për të shpëtuar nga Ilir Meta. Dhe ata hapin sytë se çfarë është ky”.
Berisha përshëndeti vendimin e BE i cili tha se është realizimi i qëllimit të çdo shqiptari që beson se e ardhmja evropiane është më e shkëlqyera për atë dhe fëmijët e tij”. Berisha vlerësoi se kjo është “një pasaportë e re besimi për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për Shqipërinë” dhe shtoi: “Që sot e tutje ata konsiderohen qytetarë të një vendi me statusin e kandidatit për vend anëtar me Bashkimin Europian.
Por ky besim europian, rrezaton për mirë në mbarë botën, dhe kjo pasaportë besimi e bën Shqipërinë të besueshme jo vetëm në hapësirën evropiane, por në të gjithë hapësirën botërore, e paraqet një vend më serioz, më të përgjegjshëm, më të sigurtë se sa ishte më parë.
Berisha argumenton më shumë këtë bindje: “Statusi shton shumë shanset e investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike, për të cilat Shqipëria ka nevojë të madhe, por mbi të gjitha ky është një nivel i ri nga i cili nis stadi përfundimtar i integrimit të Shqipërisë në BE, stad që dihet se kalon në disa faza, por e vërteta është se nga ky nivel nis rruga e stadit përfundimtar të integrimit. Pra, është larg së qenit një pilulë anti-depresive, qoftë edhe për ata që vuajnë nga depresioni”.
Berisha tha se teza se Shqipërisë iu vonua statusi për shkak të forcave të djathta në BE, është një mashtrim fund e krye dhe i paskrupullt. “Në qoftë se do të ishin forcat e djathta që do të përcaktonin këtë, Shqipëria ndoshta nuk merrte ndonjëherë statusin e vendit kandidat. Në qoftë se do të ishin ato që diktuan refuzimin e tij në dhjetor, këtë qershor ato janë më të forta se kurrë numerikisht dhe ai vendim nuk do të mund të ishte marrë. Sado që forcat e djathta janë një realitet i pamohueshëm, në asnjërin nga vendet ku ato edhe mund të kenë dalë parti e parë, nuk kërcënojnë BE dhe perspektivën europiane të vendeve të tjera, sepse forcat e moderuara, në secilin prej këtyre vendeve të marra së bashku, janë qartësisht dominuese dhe vendimmarrjen nuk e kanë forcat e djathta”.
“Unë nuk them se nuk ndikojnë, – shtoi Berisha, – por e vërteta është se ato ndikojnë më shumë në politikat e brendshme të këtyre vendeve, sesa në politikën evropiane”.
“Teza e Edi Ramës, për forcat e djathta se penguan statusin, ishte thjeshtë një gjethe fiku që ai deshi t’i vendoste vetes së tij. Po pse? Sepse në listën e politikanëve evropianë, edhe të atyre që kanë shkuar për ekstremizmit e tyre para gjykatave, nuk gjen një të vetëm që të kenë bllokuar statusin e vendit të tyre përveç Edi Ramës. Ky vendim i vonuar, i vonuar të paktën 2 ose 3 vjet nuk ka asnjë lidhje me ndjenja të veçanta ndaj shqiptarëve të cilat unë i pari do t’i denoncoja po të ishin ato! Jo! Ky vendim u vonua 2 apo 3 vjet për shkak të qëndrimit të Edi Ramës. Së pari ndaj zgjedhjeve të rregullta të vitit 2009, dhe këtë ia thanë eksponentë kryesore të Brukselit në dhjetor, sepse ai dëshmoi se nuk është i gatshëm të pranojë verdiktin e popullit të tij. Ky vendim u vonua pasi ai e bllokoi me tre ligjet në dhjetor të 2012, në mars të vitit 2013 dhe natyrisht në dhjetor të vitit 2013, pavarësisht se Shqipëria kishte bërë zgjedhjet dhe një rrotacion demokratik të pushtetit, çka ishte përshëndetur universalisht dhe prapë nuk u dha, dhe kjo jo nga e djathta ekstreme dhe diktati i saj, por nga mosbesimi tek Edi Rama, i cili ishte njeriu i vetëm në analet e historisë së integrimit që kishte bllokuar me tre ligjet statusin e kandidatit të vendit të tij.
Berisha: Rama shfrytëzoi statusin për revansh primitiv ndaj drejtësisë
Ish kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun aktual të qeverisë se shfrytëzoi statusin për një revansh primitiv ndaj drejtësisë.
“Pasi e cilësoi këtë proçes një pilulë anti-depresive, ai dje, Edvin Kristaq Rama, në daljen e tij mediatike për statusin, shfrytëzoi statusin për një revansh primitiv ndaj drejtësisë. Dhe paraqiti drejtësisë shqiptare si bajlozin e zi, si demonin që u ka zënë rrugën shqiptarëve drejt integrimit. Ai bëri fjalë këtu për gjykatës që bashkëpunojnë me trafikantët, me vrasësit dhe duhet t’u them qytetarëve se ai këtu nuk shpiku dhe se kjo është e vërtetë se ata janë dhe duhen ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Por duhet t’u them shqiptarëve se kryebajloz në rrugën e tyre të integrimit janë politikanët e inkriminuar dhe krimi në majat më të larta të politikës, janë lidhjet e Edi Ramës polivalente me krimin, janë sjellja e krimit në zyrat e shtetit në kuadër të “aleancës së qelbësirave”, janë lidhjet e tmerrshme me trafikun të qeveritarëve aktualë. Ky është kryebajlozi i zi në rrugën tonë drejt Europës”.
“Vrasës në Parlament”
Deputeti demokrat tha nga selia e PD se gjenden vrasës në Parlament: “Parlamenti shqiptar ka vrasës, ka persona që kanë bërë vite të tëra burg për drogë dhe trafik prostitucioni. Sot dihet se kreu i ekzekutivit ka qenë i lidhur si mishi me thoin me bandën e “Rrugës së Kavajës”, shefin e së cilës ai e bëri drejtor”. Këtu Berisha shtroi disa pyetje lidhur me Ramën: “Cili shqiptar nuk i di këto? Cili është ai që nuk e di se në interceptimet e prokurorisë italiane dhe në policinë në Firencë, Edi Rama figuron një “darling” i “Bandës së Lushnjes”? Cili shqiptar nuk e di lidhjet e tij direkt me “Hakmarrjen për Drejtësi”? Cili shqiptar nuk e di lidhjen e tij me “Bandën e Dritan Dajtit”? Cili shqiptar nuk e di se drejtori i anti-korrupsionit, për të cilin mediat shkruajnë se jep dozat e kokainës, nuk u gjet me makinë me targa të një trafikanti, pra kishte marrë targat e tij? Po çfarë i duhet drejtorit të antikorrupsionit targat e makinës së një trafikanti? Çfarë i duhen drejtorit të antikorrupsionit targat diplomatike në makinë e tij? Cili shqiptar nuk e di se Sekretari i përgjithshëm i mafies shqiptare në kryeministri z. Agaçi, si një mafioz shkon tek Presidenti i Republikës dhe tenton të korruptojë Presidentin e Republikës. Keni dëgjuar ndonjë përgënjeshtrim prej tyre ju? Nuk përgënjeshtrojnë dot sepse Presidenti i Republikës, një personalitet me integritet të lartë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet që duhet të ndërmerren në këtë rast. Cili shqiptar nuk e di që në parlament Edi Rama përdor si mburojë një deputet, i cili është paditur për përdhunim nga një i sëmurë me SIDA dhe se ka mohuar dot kurrë? Cili shqiptar nuk e di që përdor për avokat një trafikant droge që në Librazhd e quajnë e quajnë Taulant Gjura, sepse ia dinë të gjitha lidhjet? Cili shqiptare nuk e di se mandatori i tij për drejtësinë është Fatmir Xhafa dhe se klani Xhafa është një nga klanet më të fuqishme të drogës? Shkoni në Pogradec dhe shikoni pallatet e drogës të Fatmir Xhafës, shkoni shikoni ç’ndodh në Vlorë? Ky është zotëria të cilin Rama i beson reformën e drejtësisë. A mundet klani i drogës të bëjë reformën e drejtësisë? Pra, kryebajlozi i zi në rrugën e shqiptarëve drejt BE janë politikanë e lidhur me krimin me në krye Edi Ramën”.
“Sëmundja psikike e Edi Ramës, problem serioz”
Në takimin me gazetarët sot, Berisha tha edhe se një problem tepër serioz për çdo shqiptar për vendin në tërësi dhe të ardhmen evropiane është “sëmundja psikike e Edi Ramës” duke theksuar se e ka denoncuar këtë në mënyrë të përsëritur. “Kartela e tij klinike e mjekimit, për vite të tera është botuar vite më parë nga aktualisht një nga këshilltarët e tij më të ngushtë. Kartela ka diagnozën dhe çdo të dhënë tjetër dhe duke folur këtu për këtë u kërkoj të hapur publikisht dhe botërisht çdo të sëmuri me këto probleme, sikundër kërkoj mirëkuptimin e tyre. Ata e dinë më mirë se unë se psikoza afektive, nuk të lejon ose të imponon të marrësh vendime mbi iluzionin dhe jo realitetin, një nga tiparet kryesore kjo, të pengon të vlerësosh atë që bën të heq vetë kritikën”.
Këtu ai shtroi sërish pyetje: “A mundet një burrë 50 vjeçar, a mundet një njeri normal dhe i qytetëruar t’i lejojë vetes xheste të tilla dhe akte të tilla? Vetëm një i sëmur psikik mund ta bëjë këtë. Edi Rama është i vetmi në historinë e atij parlamenti, i cili nga karrigia e tij, mikrofonat e regjistruan duke sharë me fjalët më të ndyra si “mascara”, “rrotë …”, etj. Ai faktoi se është i sëmurë pikërisht kur mohoi se nuk ia adresova njeriu. Këtë mund ta thotë vetëm një i sëmur psikik, i cili nuk ka vetëdije të qëllimit të tij. Ai i tha gazetarit se, nuk kërkova të falur sepse nuk ia adresova njeriu. Edi Rama është recidivist. Në shpërthimin e tij në ditëlindje, agresoi në mënyrë të paimagjinueshme një njëri pse kishte mbrojtur një parim që ai e besonte, dhe pastaj u vërsul me fyerjet më të rënda ndaj ministres, ndaj një zonjës së një ministri dhe një zonje të tretë. Po. I botuan të gjitha këto mediat, i japin të gjitha këto kanalet televizive dhe ata heshtin si fija e barit të gjithë, nuk përgënjeshtrojnë një fjalë të vetme dhe gjetën si skenar vazhdimin e sharjeve në parlament. A mundet një njeri normal të krye akte të tilla? Kjo përben një rrezik të madh për vendin, kjo përbën një rrezik të madh për rrugën tonë. A mundet një njeri normal të shkruajë ne Facebook e tij “të ndëshkohet për korrupsion ministri Imami” dhe t’u thotë shqiptarëve tre javë me vonë se nuk ishte i imi ai shkrim. Koha ka ardhur që shqiptarët të realizojnë se sëmundja e tij psikike është një problem shumë serioz për shoqërinë dhe vendin. Pilulat anti-depresive nuk janë zgjidhja. Zgjidhja është mjekimi i tij i kontrolluar për sëmundjen psikike që ka, është person publik, ka në dorë ekzekutivin e vendit. Çdo ditë që kalon bëhet me kërcënuese për çdo shqiptar dhe për vendin, në rast se ky nuk i nënshtrohet një kontrolli të fortë serioz psikiatrik dhe një mjekimi rigoroz”, – përfundoi Berisha.
Më tej ai iu përgjigj pyetjeve të mediave, që i gjeni të zbardhura më poshtë:
Pyetje: Ju thatë se marrja e statusit është një hap drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Cili do të jetë roli i opozitës në hapjen e negociatave dhe pyetja e dytë, cila do të jetë qasja e PD për reformën administrativo-territoriale?
Ish-kryeministri Berisha: Së pari, që ditën e parë PD dhe kryetari i saj kanë shpallur parimin se ne do të mbështesim totalisht proçesin e integrimit dhe ne e kemi faktuar këtë. Gjatë gjithë këtyre 9 muajve, në qindra takime të të gjitha niveleve, PD ka denoncuar pa asnjë ekuivok, qëndrimet e qeverisë dhe të mazhorancës por ka mbështetur pa asnjë ekuivok, statusin e vendit kandidat me bindjen më të plotë se Shqipëria e meriton atë. Pati tentativë të trysnojnë opozitën të mos denoncojë, por këto janë tentativa dritëshkurtër. Opozita nuk mund të jetë kurrë ndryshe veçse e vërtetë dhe ne jemi shumë të kënaqur, sepse ne nuk çeduam në asgjë, ne mbrojtëm paralelisht të dy deklarimet tona. Mbështetje të plotë të statusit. Statusi është një përpjekje e plotë e madhe, nuk mund t’i hiqet apo anullohet një vendi për disa probleme serioze, por që prapë nuk mund t’i hiqej. Për ne, statusin e meritonim në dhjetor, e kemi merituar plotësisht në fund të 2012, e kemi merituar në 2013, ne jemi mirënjohës që na e dhanë, absolutisht nuk na kanë vonuar aspak për shkaqe të tjera, përveçse shqiptare.
Për pyetjen e dytë. Kjo është reformë elektorale që po bëjnë këta. Këta po kthehen tek Enver Hoxha. Ju jeni të rinj, keni avantazhin që disa gjëra nuk i keni arritur por deri nga vitet ’60 nuk quheshin komuna por lokalitete edhe në diktaturë dhe bëheshin ca zgjedhje dhe quheshin Këshilltarë Lokaliteti. Kishte kryetar lokaliteti dhe nëse nuk gaboj sekretari emërohej. Një ditë i shkrepi mendja se nuk na duheshin këto dhe i hoqi lokalitetet. I degdisi edhe zyrat e gjendjes civile dhe qytetarët udhëtonin me orë të tëra për të marrë shërbimin më të vogël. Çpo bën ky? Ky po bën 38 njësi, fiks aq saç kishte Enver Hoxha në kohën e diktaturës, rrethe, se edhe atëherë qarqet nganjëherë i kthenin, nganjëherë i hiqnin fare. Tani meqenëse u demaskuan, se ky është modeli hoxhist, shtoi disa rrethe dhe e bëri Hoxha plus. Si mund të bashkohemi ne me Hoxha plus? PD po punon me një projekt serioz për tu paraqitur shqiptarëve projektin më të mirë.
Pyetje: Dy ditë më parë qeveria shqiptare dhe kompania CEZ kanë nënshkruar një marrëveshje, pikërisht një ditë përpara vendimit final për statusin u zgjodh dita kur do të jepej statusi për tu bërë publik vendimi, a mund të shohim ndonjë lidhje direkte të komisionerit Fyle në këtë ngjarje pasi si çek që është mund të ketë ndikuar drejt përdrejt në dhënien e statusit?
Ish-kryeministri Berisha: Ajo për mendimin tim është një akt megakorruptiv, shpallja e të cilit u bë jo pa qëllim ditën e lajmit të madh, në mënyrë që të mbetet një lajm i vogël. Unë u them shqiptarëve se kompania CEZ i detyrohet qindra milionë euro kompanisë shqiptare, qytetarëve shqiptar dhe qeverisë shqiptare dhe ky vendim është vendimi më korruptiv që mund të jetë marrë ndonjëherë në historinë e vendit. Dita e zgjedhur ka lidhje vetëm në mënyrë që jehona e statusit ta zvogëlojë dhe ta bëjë të parëndësishme mega-vjedhjen që po behet ne kurriz të qytetarëve shqiptarë. Unë dua të informoj shqiptarët se në gjithë procesin ne e kemi ndjekur së bashku me ekspertet e Bankës Botërore dhe se në këtë proçes ne kontraktuam arbitrin, ndër më të shquarin, i cili fitoi disa arbitrazhe në interes të Shqipërisë, dhe se arbitri në siguroi ne se kemi plotësisht të drejtë në çështjen që kemi ngritur. Por qeveria, Edi Rama, u tërhoq dhe nuk vazhdoi arbitrazhin. E bëri këtë në shkëmbim të tre ligjeve? Unë i kam shkruajtur mendimet e mia, por unë një dokument nuk e kam për këtë. Veçse votoni tre ligjet, raporti krejt pozitiv, nuk kishte ndodhur kurrë ndonjëherë të viheshin tre ligjet kusht, Rama nuk i votoi ligjet. Flitej se ka pasur në atë kohë një marrëveshje xhentëlmenësh për të bllokuar statusin, këtë nuk e them dot sepse duhet të kesh… kurse për zhvillimet e mëpasme nuk kam shumë tendencë të futem në ide konspirative përveç tyre që kam shkruar, unë këtë e quaj një mega-korrupsion për të cilën opozita do të qëndrojë me gjithë fuqinë dhe mundësinë e saj. Ne qoftë se këta vendosin t’i japim CEZ 95 milion euro, dhe ndajnë paratë në mënyrë absolute, unë informoj shqiptarët se borxhet e CEZ ndaj kompanive shqiptare janë disa qindra milionë. Në qoftë se këta që ndajnë paret, mashtrojnë shqiptarët se duhet ta zgjidhnim çështjen se na duheshin paratë për investime, unë përsëri informoj shqiptarët se kemi investuar që ditën që e morëm CEZ në administrim, në të gjithë zonën bregdetare nga Velipoja në Ksamil është ripërtërirë pothuajse në tërësi linjat me furnizim me energji. Kështu që nuk ka asnjë pengesë investimi, ka thjeshtë një dëshirë për të ndarë para dhe po e bëjnë në mënyrën më të papërgjegjshme.
Pyetje: A ka ndikuar komisionari Fyle për këtë çështje?
Ish-kryeministri Berisha: Unë e kam shkruajtur. Flitej se është bërë një marrëveshje për tre ligjet dhe se Rama ka premtuar CEZ. Është thënë disa herë kjo nuk është gjë e re. Tani, as komisionari dhe askush nuk qeverie nuk mund t’i diktojë një marrëveshje jashtë rregullave, kjo është e sigurt, kështu që përgjegjësia është e qeverisë shqiptare.
Pyetje: Rama tha se një festë do të bëhet me rastin e statusit dhe se ju do të jeni i ftuar, do të shkoni tek kjo festë?
Ish-kryeministri Berisha: Ajo që mund të bëjë Rama mendoj unë, është t’u kërkojë një ndjesë shqiptarëve për bllokimin e statusit dy vite me radhë. Ai është edhe kontradiktor, por të gjithë fiksimin e ka tek artistja e shquar Çiljeta. Sa mund të besohet ai që sulmon me dy dalje rresht, sepse ai ka komplekse, është i kompleksuar. Ju them unë juve dhe i kërkoj ndjesë Çiljetës për të cilën kam shumë respekt, dhe vlerësim. Ai ka fiksime. Ai një ditë sulmon Çiljetën, ditën tjetër sulmon Erlën, fut të tjerë të sulmojnë. Ai jeton në një atmosferë fiksimesh. Pra unë do t’i sugjeroja atij, por ai sigurisht që nuk e merr parasysh, që t’i kërkojë ndjesë publike për dy vite që vonoi statusin e vendit kandidat.
Pyetje: Pyetja e dytë ka të bëjë për akuzën e ngritur për Dasho Alikon, ka një koment nga ju?
Ish-kryeministri Berisha: Së pari, dua të sqaroj shqiptarët se ne mbështesim çdo veprim të prokurorisë dhe secili qeveritar vendor apo zyrtarë i PD është dhe do të mbetet gjithnjë i hapur ndaj prokurorisë. Ku flen lepuri tek Dasho Aliko? Jua them unë. Lepuri flen në faktin së në datën 17 qershor në një takim zhvilluar në Gjirokastër, ku ndër të tjerë ishte edhe zëdhënësi i qeverisë Rama për rendin Tahiri, Dasho Alikos i kërkohet të kontaktojë kriminelët, të cilët ky i kishte denoncuar dhe t’u informohej atyre se do t’ju lihej shtegdalje. Ne e informuam në media këtë. Pra çfarë ishte kjo? Kjo ishte një mënyrë sesi të implikoje Dasho Alikon në arratinë e kriminelëve, por Dasho nuk mundej kurrë të implikohej. Gjatë gjithë atyre ditëve ka bërë çdo gjë për të qetësuar situatën, ka denoncuar në media praninë e grupeve kriminale, por po që të bëhej ai ndërmjetës midis Tahirit dhe kriminelëve, Tahiri kishte zgjedhur njeriun e gabuar. Dasho Aliko kishte denoncuar edhe të vëllanë e Serezit si një nga aktivët e përzier në çështjet e drogës në Lazarat. Pra këto janë të vërtetat dhe aty Dasho Aliko është kërcënuar, natyrisht i ia ka kthyer me dinjitet të gjitha çfarë meritonte Tahiri në atë mbledhje. Sipas ligjit të miratuar nga qeveria ime, kryetarët e komunave kanë një detyrë, po nuk e përmbushën ndiqen penalisht. Detyra e tyre është të informojnë qeverinë. Dasho Aliko ka një shkresë më datën 05.03.2014 ku njofton drejtorin e Policisë Gjirokastër, për 109 persona që kishin pushtuar tokë publike për të mbjellë kanabis. Kjo është detyra e tij ligjore. Për hir të së vërtetës ai e ka bërë edhe vjet këtë. Kaq i kërkon ligji atij, sepse ai nuk ka policë dhe mjete për të informuar ligjin por ju thotë institucioneve ja ku janë. Kjo është e vërteta deri tani që ka kërcënuar Saimir Tahirin për vrasje në tentativë. Ai ka fiksime. Ai nuk ka pranuar të behet ndërmjetës i ministrit me bandat kriminale. Ky është i gjithë thelbi i kësaj. Po bandat ku janë? U la shtegu! Kush u kap përveç atyre që u dorëzuan? Asnjëri.
Pyetje: Statusin e morëm, hapi tjetër është integrimi në familjen europiane. Të gjithë e dimë se pa reformën në drejtësi integrimi është i pamundur, kush do e bëjë reformën në drejtësi nëse nuk e bën qeveria sipas jush?
Ish-kryeministri Berisha: Unë po ju përgjigjem ju me një bisedë publike të Edi Ramës me komisionerin Fyle. Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, komisioneri i thotë Ramës se ku e keni draftin, se çfarë keni bërë ju për drejtësinë. Ai thotë nuk kemi asgjë. Komisioneri pyet se çfarë bën Ministria e Drejtësisë? Rama i thotë se “nuk ka punë ministria”, pavarësisht se aty prezent ishte ministri. “Po kush ka punë “- i thotë Fyle? “Fatmir Xhafa”, – i përgjigjet Rama. Kjo është bisedë reale. Sepse Fyle e pyet se; “çfarë është Fatmir Xhafa”? A mund të besojnë qytetarët se një nga përfaqësuesit e njërit prej klaneve me të fuqishme të drogës në Shqipëri të bëjë reformën në drejtësi? Po pse zgjidhet ai dhe nuk lihet Ministria e Drejtësisë? Sepse Ministria e Drejtësisë, çfarëdo që të ketë ndodhur, ka specialistë dhe jurist, të cilët dinë se çfarë është parimi juridik, norma juridike, çfarë është standardi europian, çfarë është pavarësia. Kurse ai që nuk pyet as për normë, as për standard, as për pavarësi, ai është Xhafa. Gjeniu i Ramës është Fatmir Xhafa. Sepse vëllai i tij ka edhe një mandat tjetër arresti nga Venezuela, përveç atij italian. Cili është ai që mund të besojë se ky do të bëjë reformën në drejtësi. Fatmir Xhafa është një tokmak që e përdor Edi Rama për presionin më të keq ndaj gjyqtarëve.
Pyetje: Ju akuzoni kryeministrin kryeministrin aktual për fjalor vulgar dhe nuk është i largët viti 2011 kur ju si kryeministër i asaj kohe pas ngjarjeve të 21 janarit përdorët një term për kryeprokuroren Ina Rama dhe presidentin. A ju qëndroni ende atyre deklaratave?
Ish-kryeministri Berisha: Së pari nuk e keni dëgjuar kurrë Sali Berishën ta mohojë se i ka thënë ato fjalë, të mohojë se nuk ia ka thënë asaj zonjës dhe atij zotërisë. Kurrë. Mohimi i asaj që ke thënë dhe të deklarosh se nuk ia kam thënë njeriu ato, atëherë kjo është dëshmi e sëmundjes psikike. Dhe kemi të bëjmë me një njëri, i cili para kamerave i thotë tjetrës prostitutë për një pyetje dhe kalon te kjo. Shko merr arkivën. Për të mos u futur në termat e tjerë. Ky është një recidivist që humbet kontrollin në mënyrën më të paimagjinueshme dhe ti nuk mund të krahasosh kurrë qëndrimin ndaj një puçi me këtë. Të dy ata ishin të implikuar qartësisht në grushtin e një shteti dhe veprimet e saj u anulluan totalisht në ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare. Në qendër ti kishe dy puçistë dhe nuk kishe ministren, as zonjën e ministrit, nuk kishe gazetarën, nuk kishe një deputet. Nuk duhet kurrë të krahasoni të pakrahasueshmen. Unë e kuptoj përpjekjen për të lehtësuar Edi Ramën dhe e respektoj këtë përpjekje, por është krejtësisht e pashpresë. Ai thotë “të ndëshkohet ministri Imami për korrupsion” dhe del pas dy javësh dhe thotë se “nuk e kam shkruajtur unë ne Facebook tim”. Problemi është se ky është kreyminisitër dhe përben një rrezik të vërtetë. Nuk e kam mohuar kurrë atë që kam thënë, por cili është konteksti? Konteksti ishte kur u bënë përpjekje haptas dhe evidente jo për të përmbys Sali Berishën por për të përmbys një qeveri të ligjshme. Cka nuk mund të ndodhte kurrë.
Pyetje: Mos ndoshta opozita po paraqitet paragjykuese përsa i përket reformave të qeverisë?
Ish-kryeministri Berisha: Së pari për reformën territoriale, opozita kë dëshmuar vullnet të plotë, dhe nuk ka kërkuar në mënyrë absolute as edhe një presje më shumë sesa çfarë i ka akorduar Edi Ramës kur ka qenë në opozitë. Kaq. Ose çfarë Fatos Nano na ka akorduar neve kur ishim në opozitë, ose cfarë ne i kishim akorduar para tij opozitës. Ka një rregull loje, që s’ka bllokuar kurrë. Edi Rama nuk e pranon. Urdhëroni thotë në komision të barabartë, por në çdo rast unë do të përdor shumicën për të realizuar qëllimin tim. Nuk ka opozitë që e pranon atë. Përsa i përket reformës në drejtësi, absolutisht ne mbështesim plotësisht një reformë. Kurrë të udhëhequer nga kapoja i klanit të drogës, i cili mbron vetëm interesat e tyre, mbështesim një reformë pa mëdyshme, përfshirëse, mbështesim një reformë me mbështetje të plotë nga Komisioni i Venecias, mbështesim një reformë me eksertizë të Venecias dhe BE dhe me rekomandimet ndërkombëtare. Keni par ju një draft të vetem kund, qoftë edhe një fjali të vetme! Nuk ekziston. Ia kërkoj komisioneri Fyle. Zoti Fyle i kërkoi Ramës se ku është drafti dhe në fund të fundit doli se nuk është. Po nëse do të bësh reform me Fatmir Xhafën atëherë mere edhe sekretarin e përgjithshëm të mafies, merre edhe Sadrit Danajn, kryetarin e qarkut të Vlorës dhe le ta bëjnë ata reformën sipas qefit, sipas klaneve të tyre.
Pyetje: A do të pranojë opozita të hyjë në zgjedhje me këtë reformë territoriale?
Ish-kryeministri Berisha: Për vendimet e opozitës është përgjegjëse udhëheqësia e saj. Po më kërkuan mendime unë jua jap, por po nuk më kërkuan nuk kam ndërmend të prononcohem apo të ndërmarr asnjëlloj qëndrimi.
Pyetje: Si do të ndiheni z. Berisha që neser nuk do të jeni pjesë e debatit në parlament, pas përjashtimit nga seanca?
Ish-kryeministri Berisha: Ndihem shumë i nderuar, realisht. Për herë të parë në historinë e Europës një klikë në pushtet dënon citimin. Dhe unë dua ti shpreh keqardhje por unë nuk mund të bëjë atë që bën ai ndaj mediave, se ndonjë media dezinformoi dëgjuesit. Tha se Berisha e quajti të tillë dhe të atillë të shoqen e Erjon Velisë, kurrë se kam quajtur dhe kurrë nuk mund ta quaja. Mos ngatërroni çështjen e grushtit të shteti me çështjet e tjera, çështja e grushtit të shtetit merr të gjitha aspekte e ligjshme. Unë citova ato çka kryetari i tij i kishte thënë atij. Unë vetëm citova. Dua të sqaroj një gjë. Në një vend të lirë në konceptin tim kryeministri kurrë nuk mund të shajë vartësin ose qytetarët e thjeshtë, sepse kjo përbën abuzim me pushtetin. Më e keqja e të këqijave është kur ata që shahen nuk reagojnë dhe askush nuk reagon në emër të tyre. Kjo e bën universale “Fermen e Kafshëve”, lexojeni veprën e George Oruell. Sikur ta kishte parashikuar 80 vjet përpara që kjo do ndodhte. Unë do ta thoja atë. Pse e ndërprënë ata séance? Ai ishte një skenar i përgatitur. Ata e dinin se në përputhje me zotimin tim do t’ia përplasja në fytyrë Edi Ramës dhe do t’i përplas çdo sharje që ka të bëjë me zgjedhësit shqiptarë. Ata nuk mund ti shajë as kryeministri dhe askush. E dinin këtë gjë dhe e ndërprenë kur do të thosha se të njëtën gjë ka thënë për zonjën Kumbaro, dhe kur do ti thosha ti mbash për vete të gjitha këto. Aty kërcyen të gjithë në korr. Dhe e thoshte bukur një aktiviste në Facebook-un tim se kur u përdor ajo fjalë të gjithë në parlament u duk sikur u çvirgjëruan, se kur tha ai që nuk ka bir të tillë e të atillë… të gjithë e duartrokitën.
Pyetje: Sot është një vjetori i dorëheqjes tuaj si kryetar i PD dhe një vit që ka filluar reformimi i PD. Si po ju duket se po shkon procesi duke qënë se në disa qytete ka patur problem. Dhe kjo është konferenca e dytë që bëni në selinë e PD. Mos do merrni dhe ndonjë zyrë këtu?
Ish-kryeministri Berisha: Nesër është një vjetori, është shpallja e një vendimi mbi 20 vjeçar i mbajtur thellë në shpirtin tim. Gjykoj se gjatë këtij viti PD ka konturuar qartësisht linjën dhe vizionin e saj. Ka ndjekur një proces të ndryshëm nga ato procese që janë ndjekur në rastet analoge, por duhet të them realisht një proces të sukseshëm. Kryetari i ri vendosi që në procesin e analizës të zgjedhjeve të jetë një linjë e fuqishme ripërteritja. Nuk është bërë më përpara kjo. Po a është pozitive? Shumë pozitive. Ia vlejti plotësisht. Ky është procesi në të cilin 40% e anëtarëve të PD janë të rinj. Me një regjistër dixhital, me një ripërteritje të fuqishme. Unë këtë e quaj një arritje të madhe. Plus pastaj linjat politike të PD gjatë këtij viti kanë qenë të admirueshme, kanë mbrojtur interesin kombëtare, akne mëbshtetru intyregrimin, akne mbrojtur ibnteresta qytetarve. Mjaft herë mqive të qeverisë ju ka krijuar vështirësi tek veshët se po denoncon shumë PD.
Pyetje: Ka mëse dy javë që PD duket sikur është tërhequr nga kauza e narkotrafikut?
Ish-kryeministri Berisha: Kjo kauz do të vazhdojë në mënyrën më të fuqishme. Ne nuk tërhiqemi kurrë. Qeveria kurrë nuk do të mund të përdorë aksionin e Lazaratit, e thashë edhe njëherë unë e kam mbështetur vendosjen e ligjit, luftën kundër trafiqeve dhe nuk lëkundem nga ajo. Kam kritikuar aspektet por lëkundje nga ato parime nuk ka. Por nga ana tjetër super-Gate është në qeveri. Është super-Riformato në qeveri. Sepse nuk i tha publikut deri më sot se kush e kaloi jashtë TIMS-it Riformaton. E lexuat deklaratën e Ministrave të Jashtëm dje? Për hërë të parë në histori i kërkohet Shqipërisë të monitorojë kufijtë. Lexojeni. Të monitorojë kufijtë e vet, sepse Riformato ka tronditur Europën. Doli zotëria dhe tha se është mbajtur shënim përpjekja për t’ia dhen VIP-in ndrikullës. Asnjëherë nuk është shkruar që Shqipëria të monitorojë kufijtë e saj. Shqipëria i ka monitoruar kufijtë. E kuptoni tani se ku është super-Gate?
Pyetje: Keni ndonjë koment për deklaratën e Daçiç se është i mërzitur pse nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare dhe asnjë mesazh ngushëllimi nga autoritetet shqiptare?
Ish-kryeministri Berisha: Rama në këto çështje është dizastër, konfuz. Ftoi Patriarkun Serb Irinej që duart dhe shpirtin i ka të lyer me gjak shqiptar, duke besuar se ky do t’ia bëjë vaj klimën në Beograd. Rama, i cili i ka vendosur në gjoks çelësin e artë të Tiranës himnizuesit të masakrave të Kosovës Bregoviç, ka një kompleks ekstrem inferioriteti ndaj Beogradit. Unë absolutisht jam për marrëdhënie pa diskutim mes dy vendeve, dy shteteve, sepse marrëveshja e Brukselit është historike, me një rëndësi kapitale, për paqen, stabilitetin dhe mbi bazën e saj një kapitull i ri do të hapet mes shqiptarëve dhe serbëve. Por problemi këtu është se kemi një grup njerëzish me komplekse primitiv ndaj Beogradit. Ju nuk mund ta imagjinoni gëzimin e jashtëzakonshëm të Ilir Metës kur po shkonte në Beograd sikur po shkonte në hënë. Këta kanë komplekse. Edhe aleancën në Shkodër me Oliverin e bënë. Aty ishin përfaqësuesit e lobeve me te egra serbe. Nga një anë katër herë me radhë niset dhe dështon, dhe kur ata patën një fatkeqësi një përmbytje rri sikur nuk është. Kjo nuk shkon. Por e kanë nga komplekset. FUND
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





