Transmetuar më 25-06-2014, 10:54

Tiranë, 25 qershor 2014, NOA.al- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ka komentuar operacionin e policisë në Lazarat.

Kryepolici deklaroi se policia është vënë në ndjekje të grupit të personave që qëlluan me armë mbi policinë, me synim identifikimin dhe kapjen e tyre.

Didi ka thënë se nuk dihet vendndodhja e tyre, ndërsa shtoi se ai grup kriminal ekziston dhe ka qëlluar mbi policinë.

Referuar shifrave Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se nuk ka një numër të saktë, për shkak se vijon puna për identifikimin e tyre.

Lidhur me procedimin penal për kryekomunarin e Lazaratit Dasho Aliko, ai tha se masa e sigurisë për të është kompetencë e Prokurorisë dhe gjykatës.

Ndërkohë i pyetur nga gazetarët se cilët prova rëndojnë mbi Alikon ai tha, “Procedimi penal është bërë mbi prova përderisa është bërë, personi në fjalë duhet të përgjigjet për to. Prova më e gjallë është vetë Lazarati. Aty u gjetën armë dhe kanabis, madje po gjenden akoma”, shtoi ai.

Didi deklaroi ndër të tjera se janë identifikuar edhe policët që nxorën informacion lidhur mbi operacionin e policisë në Lazarat.

Ish-Kryeminsitri Sali Berisha duke komentuar procedimin penal ndaj kryekomunarit të Lazaratit Dasho Aliko, tha se ai bëri çdo gjë për të qetësuar situatën.

Duke folur për mediat për marrjen e statusit të vendit kandidat ai u pyet nga gazetarët, për kreun e komunës Lazarat, duke thënë se Aliko nuk është i përfshirë në arratisjen e kriminelëve.

Berisha deklaroi se Aliko është kërcënuar në një mbledhje në Gjirokastër më 17 qershor dhe çdo gjë sipas tij bëhet për hakmarrje nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Ai tha se mbështet Prokurorinë në hetimin e tij, duke u shprehur i hapur për hetimin e çdo zyrtari./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit