Transmetuar më 24-06-2014, 19:16

Komisioni Europian, me anë të një memoje të shpërndarë për mediat bën të ditur se vendimi për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat u dha si një mbështetje për agjendën e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Memo u bë e ditur nga zyra për shtyp e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë.

Në këtë dokumebnt thuhet se “Në takimin e sotëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg, ministrat e shteteve anëtare të BE-së vendosën – bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE, subjekt i miratimit nga krerët e shteteve të BE-së në Këshillin Evropian të ardhshëm të premten në Bruksel.

Ky është një hap i qartë përpara në marrëdhëniet BE-Shqipëri, që reflekton progresin që ka bërë vendi në integrimin evropian dhe në zbatimin e reformave të nevojshme. Vendimi i sotëm nënvizon angazhimin e vazhdueshëm dhe të besueshëm të BE-së për ta mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt këtij synimi.

Për Shqipërinë vendimi i sotëm duhet përkthyer në një mbështetje më të fortë të agjendës së saj të reformave: Shqipërisë i duhet ende të përmbushë përparësitë kyçe, me fokus të veçantë te reforma administrative dhe ajo e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat themelore, siç theksohet në Konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2013. Për më tepër, dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm do të mbetet thelbësor për konsolidimin dhe vazhdimin e reformave.

Statusi i vendit kandidat nuk do të thotë se BE-ja do të nisë automatikisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, çka është një hap pasues, i veçantë në procesin e integrimit në BE, për të cilin kërkohet më shumë progres në përparësitë kyçe.

Marrëdhëniet BE-Shqipëri – ecuria kohore

Së bashku me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, në vitin 2003 Shqipëria u njoh si vend potencial për anëtarësimin në BE. Më 1 prill 2009 hyri në fuqi një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asocimi (MSA). Po atë muaj Shqipëria paraqiti aplikimin e saj për anëtarësinë në BE. Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat në BE në tetor 2013. Komisioni e rikonfirmoi rekomandimin e tij në raportin e tij të qershorit 2014 për Këshillin.

Çfarë do të thotë në praktikë statusi i vendit kandidat?

Njohja si vend kandidat në BE ka një numër implikimesh për Shqipërinë. Është një sinjal i rëndësishëm politik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, që tregon se vendi po ecën drejt fazës tjetër të procesit të integrimit evropian. Nga perspektiva ekonomike, statusi i vendit kandidat do të nxisë investimet e huaja dhe rrjedhimisht, do të çojë në krijimin e vendeve të punës.

Statusi i vendit kandidat e ngre marrëdhënien mes Shqipërisë dhe BE-së në një nivel më të lartë: tashmë Shqipëria do të marrë ftesa në takimet e Këshillit të hapura për vendet kandidate. Aksesi dhe bashkëpunimi i saj me agjencitë e BE-së do të jetë më i lehtë – për shembull, pjesëmarrja e saj në Agjencinë e të Drejtave Themelore si vëzhguese. Mund të krijohen gjithashtu Komisione të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit të Rajoneve, si dhe Komisionit Ekonomik dhe Social. Si vend kandidat Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga fondet e BE-së në kuadrin e Instrumentit për Asistencë para Anëtarësimit (IPA) me qëllim që të kryejë reforma gjithëpërfshirëse dhe investime strategjike, si dhe do të përfitojë nga pjesëmarrja në programet e BE-së.

Rruga përpara

Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë ngushtësisht së bashku me Shqipërinë për të mbështetur reformat e saj dhe për ta përgatitur për hapin tjetër në procesin e integrimit, që do të thotë, hapja e negociatave të anëtarësimit. Hapja e negociatave varet nga reformat e mëtejshme konkrete dhe të qëndrueshme në Shqipëri; kërkohet gjithashtu marrëveshja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit