
Tiranë, 24 qershor 2014, NOA.al- Marrjen e statusit të vendit Kandidat për BE, Partia Socialiste e ka konsideruar si si një Rilindje të besimit të partnerëve tanë europianë tek Shqipëria, potencialet e saj dhe qeverisja e vendit.
“Kemi rastin sot t’i shprehim mirënjohje çdokujt kontribuoi, së fundmi apo në vite, në arritjen e këtij stacioni kuptimplotë për Shqipërinë Europiane. Në familjen tonë socialiste gëzimi është i madh, sepse vijmë nga një rrugë e gjatë përpjekjesh opozitare, në emër të një vizioni progresist europian, që ruan në thelbin e vet vlerat më të mira shqiptare. Në emër të Kryesisë dhe gjithë deputetëve socialistë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’i shprehur mirënjohjen e veçantë të gjithë anëtarëve e mbështetësve të familjes sonë socialiste, secili kontribuues i rëndësishëm në këtë ditë gëzimi të merituar për të gjithë shqiptarët”, u shpreh deputetja Olta Xhaçka, në emër të PS.
Ajo nënvizoi entuziazmin e kësaj partie për këtë arritje të përbashkët të Aleancës për Shqipërinë Europiane, dhe bindjen se ky është vetëm fillimi i një rruge suksesesh të përbashkëta me aleatët tanë drejt reformimit e modernizimit rrënjësor të vendit tonë.
“Me ndjenjat më pozitive për të ardhmen europiane të vendit tonë, me falenderimin më të sinqertë për partnerët europianë që na besuan dhe vlerësuan, dhe me përgjegjësinë e një besimi të rilindur tek Shqipëria urojmë për suksesin të gjithë shqiptarët”, përfundoi Xhaçka në emër të Partisë Socialiste./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





